Ish-sulmuesi i njohur gjerman, Lukas Podolski, ka njoftuar se do t’i japë fund karrierës së tij futbollistike pas këtij sezoni, megjithatë pa e përjashtuar plotësisht mundësinë e një rikthimi të fundit.
“Po, në thelb ky duhet të jetë sezoni im i fundit,” – deklaroi 40-vjeçari në një intervistë për Kölner Stadt-Anzeiger. Por “Princ Poldi” shtoi me një buzëqeshje: “Nëse arrijmë ndonjë surprizë sportive, ndoshta do të doja ta provoja edhe një herë.”
Arsyeja e mundshme për ndryshimin e mendimit lidhet me formën e shkëlqyer të skuadrës së tij aktuale, Górnik Zabrze. Klubi polak, për të cilin Podolski ka një dashuri të veçantë, ndodhet në krye të tabelës së Ekstraklasës pas 15 javësh dhe është pranë një pjesëmarrjeje historike në kupat europiane.
Podolski është pjesë e Górnik Zabrze që nga viti 2021. Edhe pse tashmë luan më rrallë, ndikimi i tij në klub është më i madh se kurrë. “Më pëlqen shumë puna jashtë fushe. Tani jam 40 vjeç dhe prioritetet e mia kanë ndryshuar. Klubi më ka dhënë mundësinë të njoh shumë aspekte të tjera dhe të kontribuoj edhe në zhvillimin e strukturës së tij. Këtu po ndodh diçka e veçantë,” – u shpreh ai.
Megjithatë, ai nuk e përjashton qëndrimin në futboll edhe më gjatë: “Ende më pëlqen të luaj dhe marr kënaqësi të madhe kur ndihmoj lojtarët e rinj me përvojën time. Por nuk jam më 30 vjeç, kështu që ndonjëherë ndiej dhimbje në trup,” – tha Podolski me humor.
Lukas Podolski, kampion bote me Gjermaninë në vitin 2014, po i afrohet fundit të një karriere të gjatë dhe të pasur, por, siç duket, dashuria e tij për futbollin nuk do të shuhet shpejt.


