Dueli mes Realit të Madridit dhe Atle tikos së Madridit në Ligën e Kampioneve është edhe një përballje mes Ançelotit dhe Diego Simeones. Madje përballja mes dy trajnerëve është tashmë një klasike. Dhe tani rezultati është i barabartë, me tetë fitore për secilin trajner dhe tetë barazime.
Janë edhe dy përplasje të tjera me italianin në krye të Bajernit, por sërish nuk e prishin baraspeshën. Ishte në sezonin 2015-16, me një fitore në Mynih për italianin (2-1) dhe një fitore për “Çolon” në “Calderón”-in e vjetër.
Ky ishte i vetmi rast kur Simeone ka eliminuar Ançelotin në Ligën e Kampioneve. Kjo baraspeshë mes dy trajerëve mund të përfundojë në “Bernabéu”, nëse nuk ndodh që dy personazhet të ndahen në një tjetër barazim në ndeshjen e tyre numër 27 përballë njëri-tjetrit. Ançeloti është trajneri me të cilin Simeone është përballur më shumë dhe anasjelltas. Duhet të thellohesh në garat për të zbuluar se ku komandon secili.
CHAMPIONS – Në Ligën e Kampioneve, italiani është qartësisht në krye në ballafaqimet me argjentinasin e stolit të Atletikos. Bardhekuqtë janë eliminuar gjithmonë, përveç duelit kur italiani ishte trajner i Bajernit. Në mënyrë të veçantë duhet përmendur finalja e vitit 2014 në Lisbonë, pasi Ramos barazoi në minutat shtesë dhe më pas Reali triumfonte në kohën shtesë 4- 1.
Karleto ka fituar tre ndeshje, përfshirë atë si trajner i Bajernit, kurse Simeone nuk ka mundur ende të mposhtë kolegun e tij në Champions League, përveç përballjes sërish me Bajernin. Më e mira që ka arritur ekipi bardhekuq është një barazim. Në vazhdim me ndeshjet europiane, bilanci është një fitore për madrilenët dhe një tjetër për bardhekuqtë, që i dhuruan Superkupën e fundit, në vitin 2014, plus një barazim.
LA LIGA – Kampionati spanjoll është një histori tjetër, deri në pikën që Ançeloti pothuajse gjithmonë ka pasur vështirësi në ndeshjet kundër Atletikos. Tashmë janë dymbëdhjetë duele mes të dyve në kompeticionin vendas me pesë fitore për Simeonen, dy për italianin dhe pesë barazime, dy të fundit në këtë sezon në La Liga. Në Kupë, megjithatë, Karleto është në krye, me tri fitore kundrejt dy të argjentinasit dhe një barazim.
Reali është edhe rivali me të cilin Simeone është përballur më shumë, me 12 fitore, 15 barazime dhe 18 humbje. Nga ana tjetër, Ançeloti ka përmirësuar rekordin ndaj argjentinasit në këtë fazë të dytë në krye të “Los Blancos”. Që nga rikthimi i tij në sezonin 2021-22, ka pasur tri fitore për Simeonen (dy në La Liga dhe një në Kupë), katër për Ançelotin (dy në La Liga, një në Kupë dhe një në Superkupën e Spanjës) dhe tri barazime.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL