“Ëndrra jonë është kualifikimi në EURO 2024’’, Laçi dhe Muçi: E kemi detyrim fitoren ndaj Moldavisë, kemi nevojë për tifozët.
Kombëtarja shqiptare vijon me përgatitjet intensive për dy takimet e radhës ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’. Që prej ditës së hënë, kuqezinjtë kanë nisur grumbullimin në ‘Shtëpinë e Futbollit’ nën urdhrat e trajnerit të Kombëtares, Silvinjo si edhe stafit kuqezi.
Në prag të sfidës së parë ndaj Moldavisë, që do të luhet në stadiumin ‘Air Albania’ më 17 qershor, dy futbollistët e Kombëtares, Qazim Laçi dhe Ernest Muçi dolën paraditen e kësaj të premteje në një konferencë për media, ku iu përgjigjën edhe interesit të gazetarëve të pranishëm.
Mesfushori kuqezi, Qazim Laçi u shpreh se skuadra është gati për të dyja sfidat që ka Shqipëria në këtë muaj, ndërsa shtoi se ndihet shumë krenar që ka marrë një ftesë nga trajneri Silvinjo. Ndër të tjera, Laçi u shpreh se Kombëtares shqiptare nuk i mungon asgjë, ndërsa nënvizoi se rivalët që Shqipëria ka përballë nuk janë të dobët. ‘Detyrim’ e konsideroi mesfushori shqiptar fitoren ndaj Moldavisë, ndërsa nuk mungoi as thirrja për tifozët kuqezi, për të qenë të pranishëm në ‘Air Albania’ më 17 qershor.
Si ndihesh që je sërish i grumbulluar nga trajneri Silvinjo – Ndihem shumë krenar. Trajneri ka shumë besim tek unë. Do të japim maksimumin, ashtu sikurse gjithmonë.
Deri ku mund të shkojë Shqipëria në këto eliminatore? – Ekipi ynë ka shumë eksperiencë dhe shumë lojtarë të rinj, që do të jenë e ardhmja e Kombëtares. Ekipi i ka të gjitha, nuk na mungon asgjë. Ne do të japim maksimumin në këto 7 ndeshje, që nga sfida me Moldavinë që është fillimi i një rruge të gjatë.
Si është gjendja e skuadrës, duke qenë se është fund kampionati? – Nuk besoj se lojtarët e kanë mendjen te pushimet, pasi jemi profesionistë. Jemi mësuar në këtë situatë. Nuk është hera e parë për ne. Po punojmë shumë mirë, me të gjitha kushtet që kemi. Do të japim maksimumin për të fituar dy ndeshjet e radhës. Dhe fokusi ynë është ndeshja me Moldavinë.
Dy rivalët më të dobët se Shqipëria, sa e vështirë është për të fituar? – Në mendimin tim, sot për sot nuk ka ekipe të dobëta dhe të forta. Të gjithë jemi njësoj. Kur luajmë në fushë, 11 lojtarë jemi ne, 11 lojtarë ka edhe skuadra tjetër. Ne jemi gati, kemi lojtarë me eksperiencë nga të gjitha kampionatet më të mira në botë. Dhe do të bëjmë maksimumin tonë. E kemi për detyrim, sidomos në ndeshjen e parë në shtëpinë tonë, që ta fitojmë patjetër.
Si është atmosfera brenda skuadrës, a ndjeni presion për këto dy ndeshje? – Presion jo, por dëshira e të gjithë lojtarëve është që të ecim sa më lart me ekipin kombëtar. Edhe me futbollistët e tjerë me më shumë eksperiencë, Cikalleshi e Sadiku, të cilët na ndihmojnë shumë jo vetëm neve, por edhe futbollistët e rinj të thirrur nga trajneri. Atmosfera është shumë e bukur dhe ajo do të bëjë diferencën besoj.
Dallimi mes epokës ‘Reja’ dhe epokës ‘Silvinjo’ – Po punojmë shumë mirë me trajnerin Silvinjo. Na jep shumë pozitivitet në stërvitje. Të gjithë lojtarët po japin maksimumin. Në çdo moment, të gjithë lojtarët janë të përgatitur. Dhe kjo ka shumë rëndësi. Sidomos në ndeshjet e radhës, të gjithë lojtarët duhet të jenë gati, qoftë titullarët, por edhe ata në stol.
Premtimi për tifozët shqiptarë – Kemi shumë nevojë për tifozët tanë. Do të jetë rruga e gjatë. Sidomos ndeshja e parë me Moldavinë do të jetë shumë e rëndësishme, që të vazhdojmë me fitore dhe të kemi pak besim. Do të kemi shumë nevojë për ta.
I lumtur që ka marrë një ftesë nga Kombëtarja, sulmuesi Ernest Muçi mori fjalën dhe theksoi rëndësinë e rezultateve të mira para anës personale. Sulmuesi, i cili aktivizohet në Poloni, thekson se duhet të besojnë dhe të japin maksimumin për të qenë pjesë e kampionatit europian “Gjermani 2024. Muçi thekson se Shqipëria i ka cilësitë, ndërkohë që foli edhe për konkurrencën në ekip dhe bisedën që ka pasur me trajnerin Silvinjo.
Ftesa nga Silvinjo – “Ndihem shumë krenar dhe i lumtur që jam pjesë e listës për këto dy ndeshje. Trajneri ka besim tek unë, kam komunikuar dhe e shikoj që pret nga unë. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kombëtares”.
Ku mund të arrijmë – “Ëndrra jonë dhe qëllimi jonë është të marrim pjesë në Europian. Ndeshja me Moldavinë është ajo ku duhet të fokusohemi, e para, e luajmë në shtëpinë tonë. Duhet të marrim pikët maksimale”.
Kualifikimi në Europian – “Grupi është shumë i mirë, besoj se do japim maksimumin dhe duhet të besojmë deri në fund për këtë ëndërr që e kemi të gjithë bashkë, që të marrim pjesë në Europian. Ia dolëm një herë dhe besoj se e kemi kualitetin dhe mundësinë t’ia dalim përsëri. Do besojmë deri në fund”.
Skemat e Kombëtares me Silvinjon – “Ideja e lojës që trajneri ka është një mënyrë shumë e mirë për mua dhe sulmuesit e tjerë. Mendoj që kryesorja është që ekipi të marrë pikët maksimale dhe të bëjmë sa më mirë në këto dy ndeshje. Do jem gati në qoftë se do thërritem që të ndihmoj ekipin në fushë”.
Konkurrenca në sulm – “Të gjithë sulmuesit kanë cilësi, kanë bërë mirë në ekipet e tyre. Konkurrenca është diçka e mirë për çdo futbollist. Rëndësi ka që Kombëtarja të fitojë. Jam i motivuar që të luaj sa më shumë dhe të ndihmoj Kombëtaren”.
Forma e mirë edhe te Kombëtarja – “Ndihem shumë mirë që jam pjesë e këtij grumbullimi dhe jam gati, që nëse trajneri më fut në fushën e lojës, të ndihmoj ekipin”.
Rikthimi në Air Albania – “Është një ëndërr të luaj për Kombëtaren në këtë stadium, është ndjenjë shumë e bukur që jam pjesë e Kombëtares. Shpresoj që të paraqitem mirë dhe të fitojmë ndeshjen”.