Pas problemit fizik të pësuar gjatë ndeshjes me Turqinë, Hakan Çalhanoglu iu nënshtrua mëngjesin e sotëm ekzaminimeve mjekësore për të qartësuar natyrën e dëmtimit të tij.
Sipas raportimeve nga ‘Sky Sport’, janë përjashtuar dëmtimet serioze, ndërsa është konfirmuar një zgjatje e lehtë në muskujt e kofshës së majtë, ashtu siç ishte konstatuar pas ndeshjes midis Turqisë dhe Uellsit.
Pasdite, lojtari pritet të stërvitet veçmas, por nuk përjashtohet mundësia që të marrë pjesë edhe në një pjesë të stërvitjes me grupin. Nëse kjo ndodh, ai mund të përfshihet në listën e të grumbulluarve dhe të jetë në stol për ndeshjen në Verona, që do të luhet të shtunën.
Në rast të kundërt, Simone Inzaghi nuk do ta rrezikojë dhe Çalhanoglu do të rikthehet në dispozicion për ndeshjen e Champions League të martën kundër Leipzigut.
Çalhanoglu pësoi dëmtimin të shtunën më 16 nëntor, gjatë pjesës së parë të ndeshjes së Nations League midis Turqisë dhe Uellsit, ku ndjeu një shqetësim muskulor. Mesfushori u largua në pushim për të shmangur rrezikun e përkeqësimit: “Ndjeva një pickim,” kishte deklaruar menjëherë pas ndeshjes.
Simone Inzaghi duhet të përballet me tri sfida të rëndësishme brenda një jave: pas transfertës në “Bentegodi” (të shtunën më 23 nëntor), është ndeshja në Champions, në “San Siro”, kundër Leipzigut (të martën më 26 nëntor) dhe më pas udhëtimi përballë Fiorentinës, të dielën, më 1 dhjetor.