Piloti britanik Lando Norris siguroi “pole position” në Meksikë, ku mbrëmjen e së dielës do të zhvillohet gara e radhës së botërorit të Formula 1. Ai dha kohën 1’15”586, duke e nisur për herë të parë në karrierë garën meksikane nga vendi i parë.
Ai arriti t’ia rrëmbejë “pole” dy pilotëve të Ferrari, që u renditën ne vendet 2-3. Charles Leclerc arriti të lërë pas shokun e tij të skuadrës Lewis Hamilton. Kjo është paraqitja më e mirë e pilotëve të “kokëkuqes” në provat zyrtare këtë sezon.
Në vendin e katërt u rendit George Russell me Mercedes, që la pas Max Verstappen me Red Bull. Një rezultat zhgënjyes ky për kampionin e botës në fuqi, që duhet të bëjë një garë në sulm për të rikuperuar e mbajtur gjallë shpresat për titull.
Zhgënjen edhe kryesuesi i botërorit, australiani Oscar Piastri me makinën tjetër McLaren, që do ta nisë garën nga vendi i shtatë. Para tij doli edhe Kimi Antonelli me Mercedes, ndërkohë që në “top-10” janë edhe Hadjar, Berman e Tsunoda.


