Huan Laporta ka vendosur që t’i japë lamtumirën Çavi Hernandez në fund të këtij sezoni. Presidentit të Barcelonës nuk i kanë pëlqyer deklaratat e fundit të trajnerit dhe sipas mediave spanjolle, ka vendosur të shkarkojë teknikun në mbyllje të këtij edicioni.
Ai raportohet se ka udhëzuar Dekon që të nisë kontaktet me kandidatët për trajner që të gjejë sa më shpejt emrin e ri, duke krijuar në këtë mënyrë jo pak kaos në klubin katalanas. Një nga ata që kanë mbetur të shtangur nga ky vendim ka qenë vetë Çavi, i cili vetëm 3 javë më parë merrte mbështetjen e plotë të klubit.
Mediat spanjolle bëjnë të ditur se Çavi kishte kërkuar sot takim me Laportën. Por pasi ka pritur për më shumë se katër orë në ambientet e klubit edhe pasi ka kryer stërvitjen me ekipin, trajnerit i është bërë e ditur se presidenti nuk do të vinte. Mediat raportojnë se Laporta i ka telefonuar shkurtimisht trajnerit vetëm për t’i bërë të qartë se takimi i tyre do të zhvillohej në një moment të dytë, apo në rastin më të keq, sapo të mbyllej sezoni.
Në rrethana të tilla, është e qartë se largimi i Çavit është i pashmangshëm dhe se tashmë palët duhet të ulen në tavolinën e bisedimeve për të gjetur një mirëkuptim për këtë largim. Një nga zyrtarët e klubit, Alehandro Eçeverria, ish-kunati i Laportës, ka qëndruar gjatë gjithë kohës sot përkrah Çavit, duke diskutuar me këtë të fundit situatën e krijuar, ndoshta edhe për të shmangur ndonjë shpërthim tjetër publik të trajnerit.
PANORAMASPORT.AL