Lara Colturi në Spindleruv Mlyn…
Të shtunën konkurron në Slalomin Gjigant dhe të dielën në atë special me shpresën për një rezultat të mirëLara Colturi të shtunën dhe të dielën do të jetë përsëri në Kupën e Botës në ski. Bëhet fjalë për slalomin gjigant dhe atë special në Spindleruv Mlyn të Çekisë. Gjithçka do të vijë drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, sikurse dhe emisioni “Shqipëria mbi Ski” e moderatores Albana Bejko.
Lara Colturi bëhet gati për të mbërritur në numrin 16 të garave, në etapën e pesëmbëdhjetë të Kupës së Botës. Pikërisht të shtunën dhe të dielën, skiatorja kuqezi do të jetë në Spindleruv Mlyv, teksa do të marrë pjesë në Slalomin Gjigant dhe në atë special. Të shtunën do të jetë slalomi gjigant me rrëshqitjen e parë në ora 10:00 deri në 11:00 dhe rrëshqitja e dytë në ora 13:30 dhe 14:30. Duke nisur nga ora 09:40-09:55 për të vazhduar në 11:00 deri në 11:15, më pas 13:00 deri në 13:25 dhe 14:30 gara e slalomit gjigant të Lara Colturit do të shoqërohet dhe nga emisioni “Shqipëria mbi ski” e moderatores Albana Bejko.
Rrëshqitja e parë së bashku me emisionin do të jetë në RTSH Sport, kurse më pas do të kalohet në RTSH 1. Ndërkohë të dielën slalomi special, që është dhe disiplina më rezultative e Lara Colturit, rrëshqitjen e parë do ta ketë në ora 09:30 deri në 10:30, kurse rrëshqitjen e dytë në ora 12:15 deri në 13:15. Edhe në këtë rast përsëri do të jetë emisioni “Shqipëria mbi ski” duke nisur nga ora 09:10 deri në 09:25 për ta vazhduar në 10:30-10:45, apo më pas 11:45-12:10 dhe në mbyllje 13:15 deri në 13:45.
Deri më tani Lara Colturi numëron dy vende të dyta në Levi dhe Gërgl, si dhe dy vende të treta në Malet Kuper dhe Semering. Ndërkohë që të martën e kaluar në Kronplatz ishte në vendin e 20-të. Që pas Spindleruv Mlyn gjithçka do të jetë e përqendruar për Lojërat Olimpike “Milano-Cortina 2026”, atje ku Shqipëria, përveç Lara Colturit, do të ketë dhe Deni Xhepën, Semire Dautin dhe Liza Brungën.
Megjithatë shpresohet që Lara Colturi, me një rezultat të mirë në Spindleruv Mlyn, të japi sinjalin se do të mund të jetë e tillë dhe në “Milano-Cortina 2026”, atje ku pritet medalja e parë olimpike për Shqipërinë.