Lautaro Martinez vazhdon të shkruajë historinë me fanellën zikaltër. Vetëm pak ditë pas ditëlindjes së legjendës Sandro Mazzola, kapiteni argjentinas ka arritur një tjetër moment historik, duke e barazuar atë në renditjen e golashënuesve më të mirë në historinë e Interit.
Me golin e tij të 161-të për klubin, të shënuar në dy ndeshjet e fundit ndaj Kairatit dhe Lazios, Lautaro ka arritur Mazzola-n në vendin e katërt të renditjes së përgjithshme. Ky është një sukses që e vendos 28-vjeçarin ndër emrat më të mëdhenj që kanë veshur ndonjëherë fanellën e Interit.
Në krye të listës së legjendave zikaltër qëndron Giuseppe Meazza me 284 gola, i ndjekur nga Alessandro Altobelli me 209, ndërsa Roberto Boninsegna mban vendin e tretë me 173 realizime.
Tashmë Lautaro dhe Mazzola ndajnë të njëjtën kuotë golash 161 secili, por ritmi i argjentinasit tregon se kalimi në podium është vetëm çështje kohe. Duke qenë lider i skuadrës së Simone Inzaghit dhe në formë të shkëlqyer, “Toro” synon të vazhdojë rrugën drejt rekordeve të reja, duke lënë gjithnjë e më shumë gjurmë në historinë e Interit.


