Lautaro Martinez udhëheq Interin dhe bën tifozët e tij të buzëqeshin. Ky është misioni i tij në fushë. “Nuk kam qenë kurrë më i fortë”, – ka thënë në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”.
Kundër Genoa realizoi golin e 8-të në kampionat, që vlen për vendin e parë në listën e golashënuesve më të mirë të Serie A, por mbi të gjitha për kryesimin e Interit.
“Kemi rimarrë kreun, sepse kemi punuar, kemi ditur të vuajmë. Pavarësisht nga çfarë është thënë për ne, ne vetëm kemi punuar dhe kemi menduar për t’u sjellë gëzim këtyre njerëzve”, – u shpreh Lautaro Martinez për “Dazn” pas fitores së fundit.

Argjentinasi i Interit flet edhe me numra, që janë për rekord. Ka shënuar 12 gola këtë sezon, duke llogaritur edhe 4 golat në kupë. Ai është një nga 4 lojtarët që ka marrë pjesë në më shumë se 10 gola, (8 gola të shënuar dhe 3 asiste në 15 ndeshje) në secilin nga 7 sezonet e fundit të 5 kampionateve elitare europiane.
Tre të tjerët janë Kylian Mbappé, Erling Haaland dhe Harry Kane. Nga sezoni debutues në Serie A (2018/2019) asnjë lojtar nuk ka më shumë ndeshje me të paktën 1 gol të shënuar dhe të paktën 1 asist se Lautaro Martínez: 15 si Romelu Lukaku dhe Ciro Immobile.


