Situatë e paqartë te Kombëtarja e Argjentinës, ku disa prej yjeve të skuadrës mund të mos grumbullohen për ndeshjet e ardhshme miqësore. Në mesin e emrave që rrezikojnë të mungojnë është edhe Lautaro Martinez.
Kapiteni i Interit është përfshirë paraprakisht në planet e Lionel Scalonit, por pritet ende lista përfundimtare e trajnerit argjentinas. Federata po shqyrton mundësinë për t’u dhënë pushim disa prej lojtarëve kryesorë, me Lautaron që është një nga emrat më të rëndësishëm.
Përveç tij, në të njëjtën situatë janë edhe Julian Alvarez, Cristian Romero, Emiliano Martinez, Lisandro Martinez, Alexis Mac Allister dhe Rodrigo De Paul. Ideja është që kjo periudhë të shërbejë jo vetëm për t’u dhënë një pushim lojtarëve, por edhe për të qetësuar situatën dhe tensionet e krijuara mes federatës dhe futbollistëve.
Në kampin argjentinas problemet nuk mungojnë. Presidenti i federatës, Claudio “Chiqui” Tapia, prej muajsh është i përfshirë në një betejë ligjore dhe përballet me akuza për pastrim parash. Në të njëjtën kohë, Lionel Messi është larguar nga kombëtarja, ndërsa kontrata e Scalonit përfundon në dhjetor dhe trajneri raportohet se po vlerëson edhe përfundimin e ciklit të tij.
Në këtë klimë, Argjentina ka programuar tri ndeshje miqësore ndaj Burkina Fasos, Bolivisë dhe Beninit. Megjithatë, këto përballje nuk kanë ngjallur entuziazëm të madh te disa prej futbollistëve kryesorë. Për më tepër, vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura edhe çështjet që lidhen me shpërblimet financiare të lojtarëve.
Lista përfundimtare e Scalonit pritet të publikohet të hënën. Atëherë do të zbulohet nëse Lautaro Martinez do të udhëtojë me Argjentinën apo do të qëndrojë në Milano.
Nëse sulmuesi i Interit mbetet jashtë listës, kjo do të ishte një mundësi e artë për zikaltërit. Lautaro do të kishte rreth tri javë në dispozicion për të punuar në Milano nën urdhrat e Chivut, për të rikuperuar plotësisht formën fizike dhe për t’u përgatitur në mënyrën më të mirë për sfidat e rëndësishme në kampionat dhe Champions League.