Interi po vrapon shpejt, ndoshta shumë shpejt për ata që përpiqen ta ndjekin. Fitorja ndaj Como-s dha ndjesinë e një kampionati tashmë të orientuar nga skuadra e Chivu, me titullin që mund të bëhet realitet në çdo moment. Ndërsa Lautaro Martinez është rikthyer t’i udhëheqë zikaltërit në fushë me gola dhe lidership, ka nga ata që këtë sukses e jetojnë ndryshe, pothuajse paralelisht. Në tribuna, mes njerëzve, me të njëjtën fytyrë, por me një histori krejt tjetër pas shpine. Është 35-vjeçari nga Catania, Fabrizio Abate, sozia e kapitenit të Interit (më shumë se 70.000 ndjekës në Instagram), i kthyer në muajt e fundit në një fenomen të vogël social.
Fabrizio, si filloi gjithçka?
Kam bërë punë të ndryshme, por sektori ku e shihja veten më mirë ishte ai i transportit. Për vite kam punuar si korrier në Sicili. Nisesha nga Catania dhe lëvizja gjithë ishullin për dërgesa, nga Palermo në Messina, nga Siracusa në Agrigento. Dhe pikërisht aty, duke lëvizur nëpër qytete, njerëzit filluan të më ndalonin për foto. Në atë kohë rrjetet sociale nuk ishin bota ime, por njerëzit më ndalonin sepse në anën tjetër të Italisë ishte Lautaro Martinez që po fillonte të bënte histori me Interin. Pas Botërorit erdhi “boom”-i. Sa më shumë ai ngrinte nivelin, aq më shumë njerëzit në rrugë më thoshin: Je identik me Lautaro Martinez, e pabesueshme.
Kur vendose ta provosh seriozisht?
Për një vit miqtë e mi të fëmijërisë këmbëngulën: Pse nuk bën një video në rrjetet sociale? Unë, të them të vërtetën, nuk e besoja shumë. Në fund, për një bast, u dorëzova: Në rregull, ta bëjmë këtë video dhe të shohim nëse është siç thoni ju. Nga aty filloi gjithçka. E kam bërë gjithçka vetë, duke investuar edhe kursimet e mia. Nuk kam pasur kurrë një agjenci apo dikë nga sektori pranë meje. Nëse nuk do ta kisha bërë vetë, me disa miq ose influencer herë pas here, nuk do të kisha arritur këtu.

Çfarë jete bëje më parë?
Jam rritur në një familje me mundësi të kufizuara, e lashë shkollën shumë herët. Në moshën 17–18 vjeç tashmë punoja për të ndihmuar familjen. Ëndërroja të bëhesha futbollist, por në Sicili është e vështirë për mungesë shoqatash dhe strukturash të duhura. Kështu e lashë dhe u futa në punë. Kam një kushëri që luan si profesionist, është sulmues si unë, dhe i uroj me gjithë zemër të arrijë në nivelet më të larta ku unë nuk munda të shkoj. Ndoshta një ditë, kush e di.
Sot, çfarë raporti ke me jetën tënde të dytë?
Nuk ka një ndarje të qartë mes jetës sime normale dhe asaj si sozi. Jam gjithmonë Fabrizio, një djalë që përpiqet ta menaxhojë këtë situatë në mënyrën më të mirë.
A je tifoz i Interit?
Që i vogël kam pasur pasionin për futbollin dhe për Catanian, skuadrën e qytetit tim. Në të njëjtën kohë kam zhvilluar një admirim të madh për Interin, klub që më ka apasionuar për historinë dhe kampionët që e kanë bërë legjendë. Duke qenë i vitlindjes 1990, kam parë nga afër epokën e artë të shumë skuadrave italiane dhe të huaja, por Interi më ka mbetur vërtet në zemër.
A ka ndonjë episod që të ka lënë më shumë mbresa?
Në ‘San Siro’, një djalë në karrocë invalidësh qante sepse nuk do ta takonte kurrë Lautaron. U mora vesh me babanë e tij: Lautaro është i zënë, por nëse do mund të bësh një foto me mua. Ta bëja atë fëmijë të qeshte ishte gjëja më emocionuese. Të jesh sozi është edhe kjo; të sjellësh një buzëqeshje për ata që kanë nevojë. Për këtë jam gjithmonë i pranishëm në ndeshjet e bamirësisë.
Nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, megjithatë…
Më ka ndodhur të bëj një intervistë pune në Milano dhe të dëgjoj nga pronari, tifoz i Milanit: Tashmë kam ankth kur skuadra ime përballet me Interin e Lautaros. Ta shoh fytyrën tënde edhe në kompaninë time çdo ditë…, jo, do të të urreja.

A e ke takuar ndonjëherë Lautaron personalisht?
Deri sot nuk e kam takuar kurrë personalisht. Nuk e di nëse kjo situatë i duket simpatike apo e bezdisshme. E kam parë vetëm në ‘San Siro’ si tifoz. Do të doja shumë ta njihja: dy fjalë, një foto bashkë, një autograf në fanellën që e mbaj gjithmonë me vete. Të gjithë më pyesin: A e ke takuar ndonjëherë Lautaron? Unë gjithmonë duhet të them: jo, fatkeqësisht. Për mua do të ishte një ëndërr.
Por ke takuar Marcus Thuram…
Një ditë shkova në Pinetina, doja të provoja të takoja Lautaron dhe fola me disa lojtarë. Doli edhe Marcus Thuram, u ndal, mendoj edhe sepse i kujtoja kapitenin e tij. Me ironi më kërkoi një foto për ta dërguar në grup me Lautaron dhe të tjerët. Qeshi sepse në atë moment i ngjaja vërtet kapitenit të tij. Bëmë shaka, foto dhe ai e publikoi në rrjetet e tij sociale.
Ndoshta do arrish t’i takosh të dy në festën e titullit zikaltër…
Si sozi i Lautaros do të isha shumë i lumtur nëse ai do ta fitonte kampionatin dhe Kupën e Italisë. Pavarësisht dëmtimeve, ai lë gjithmonë gjurmë me respekt për tifozët, familjen dhe klubin. Ky Inter është plot me kampionë. I bëj komplimente Inzaghit për identitetin e dhënë në vitet e kaluara, edhe më shumë Chivu në vitin e parë. Sido që të shkojë, po ndërton diçka të mirë për këto ngjyra.
Cili është në fund ëndrra e Fabrizio Abate?
Shpresoj që Lautaro ta përfundojë sezonin në mënyrën më të mirë. Këtë verë është Botërori, ai do të jetë atje me kombëtaren e tij. Unë, si fans dhe si sozi, do të bëj tifo për ‘El Toro’ dhe Argjentinën. Do të ishte një ëndërr të isha atje për ta mbështetur nga afër me popullin argjentinas…