Portugezi nuk ishte dakord me vendimin e trajnerit, që e argumentoi zgjedhjen e tij me nevojën e një sulmuesi me karakteristika të tjera.
Rafael Leao e manifestoi hapur pakënaqësinë në minutën e 63-të të ndeshjes Verona-Milan, duke i kërkuar shpjegime stafit kuqezi për zëvendësimin. Në atë ndeshje ai dha një asist të çmuar në rastin e golit të Rabiot.
Sulmuesi i Milanit nuk po kalon një moment të mirë, ai vjen nga një “agjerim” që zgjat prej 50 ditësh. Në momentin e ndërrimit, Leao u pa të pyeste “Pse më zëvendëson mua?” ndihmëstrajnerin Aldo Dolcetti. Ky i fundit e argumentoi zgjedhjen me nevojën për më shumë thellësi.
Pavarësisht klimës së tensionuar, të ushqyer nga vërshëllimat e tifozëve vendës dhe nervozizmit edhe gjatë zëvendësimeve në ndeshjet e tjera kundër Lazio dhe Udinese, Allegri e minimizoi atë moment kur foli pas sfidës.
Trajneri i bëri elozhe numrit 10 të Milanit për paraqitjen në Verona: “Leao ka bërë një ndeshje të mirë, por në atë moment kisha nevojë për një sulmues me karakteristika ndryshe dhe nuk mund të luajmë me 12 lojtarë”.