Rafael Leao, i cili aktualisht mungon për shkak të një dëmtimi muskulor, ka bërë një rrëfim interesant rreth transferimit të tij në Itali dhe zgjedhjes që e lidhi me Milanin.
Në një intervistë për podkastin Say Less, sulmuesi portugez ka zbuluar se në verën e vitit 2019 ishte shumë afër kalimit te Interi, por në fund vendosi të refuzojë ofertën.
“Isha gati të shkoja te Interi, ishte çmenduri. Drejtori sportiv i Lille më tha: ‘Rafa, jemi gati të të shesim atje’. Por unë thashë jo. Doja të qëndroja edhe një vit për t’u përmirësuar dhe për të fituar më shumë vetëbesim. Ata këmbëngulën se ishte një mundësi e shkëlqyer, por unë nuk doja Interin,” tha Leão.
Pikërisht në atë moment u shfaq Milani dhe gjithçka ndryshoi:
“Pas disa javësh, drejtori sportiv më tha se Milani ishte i interesuar. Unë menjëherë pranova. Kur më telefonoi Maldini dhe më tha ‘duhet të vish, jemi gati të të marrim’, nuk mund të thosha jo.”
Në fund, Leão dha një mesazh që ka gëzuar tifozët kuqezinj:
“Midis Milanit dhe Interit, Milan njëqind herë.”
Kjo deklaratë e portugezit shihet si një tjetër shenjë e lidhjes së fortë që ai ka krijuar me klubin ku ka fituar dashurinë e tifozëve dhe është shndërruar në një nga liderët e skuadrës.