Ish-futbollisti i njohur anglez dhe figura ikonike e Liverpoolit, John Barnes, ka shpallur falimentin pas problemeve të mëdha financiare që lidhen me borxhe tatimore dhe kredi të papaguara, me një total që arrin rreth 1.5 milionë euro.
Sipas raportimeve të medieve britanike dhe të dhënave më të fundit nga autoriteti fiskal britanik (HMRC), kompania e Barnes kishte një borxh prej 900 mijë eurosh ndaj shtetit, si dhe detyrime të tjera që përfshijnë 500 mijë euro ndaj kreditorëve, një hua prej 250 mijë eurosh dhe shpenzime të ndryshme që shkojnë deri në 65 mijë euro.
Barnes, i cili tashmë është 60 vjeç, kishte folur hapur për vështirësitë e tij financiare që në gusht, gjatë një interviste në podcastin ‘All Things Business’:
“Si shumë sportistë elitarë, u dogja sepse besova tek njerëzit e gabuar. U gjenda i papërgatitur disa herë dhe përfundova duke humbur mes një milion dhe një milion e gjysmë euro në katër vjet. Në vitin 2017 nisa të bisedoja me HMRC për mënyrën si mund të shlyeja borxhet,” – u shpreh ai, i cituar nga ‘The Athletic’.
John Barnes mbetet një nga figurat më të dashura në historinë e Liverpoolit, ku luajti mes viteve 1987 dhe 1997, duke shënuar 108 gola në 407 ndeshje. Ai ka mbrojtur edhe ngjyrat e Watfordit, Newcastle United dhe Charlton Athletic.
Në arenën ndërkombëtare, Barnes ka zhvilluar 79 ndeshje me kombëtaren e Anglisë, duke shënuar 11 gola, dhe është kujtuar gjithmonë si një prej lojtarëve më teknikë dhe më kreativë të gjeneratës së tij.
Ky zhvillim i hidhur tregon edhe një herë se sa shpesh sportistët e mëdhenj mund të përballen me kriza financiare pas karrierës, kur menaxhimi i pasurisë nuk bëhet siç duhet.