Jorge Valdano ka komentuar me tone kritike penalltinë e humbur nga Vinicius Junior në fitoren 3-0 të Real Madridit ndaj Valencias, një episod që solli diskutime të mëdha në Spanjë. Ish-lojtar dhe ish-trajner i Real Madridit, Valdano deklaroi në “Fútbol en Movistar Plus+” se renditja e ekzekutuesve të penalltive është e qartë dhe duhet të respektohet.
Sipas tij, Kylian Mbappé duhet të jetë ekzekutuesi i parë: “Në këto momente ai që po lufton për ‘Këpucën e Artë’ dhe ai që i shënon është Mbappé. Prioritetin e vendos trajneri dhe i pari është Mbappé, i dyti është Vinicius”. Ai shtoi se në fushë mund të luajnë elementë si vetëbesimi apo dëshira për të ndihmuar skuadrën, por rregulli është i përcaktuar qartë.
Edhe trajneri Xabi Alonso e bëri të qartë këtë hierarki pas ndeshjes. “Për ne ekzekutuesi i parë është Kylian. Ne i caktojmë ekzekutuesit dhe Mbappé është i pari. Pastaj, brenda fushës merren vendime”, tha ai, duke theksuar se do të preferonte që penalltia e dytë të ishte shënuar. “U mërzita që u humb penalltia, sepse ishte pak para pushimit dhe do ta çonte bënte 3-0. Për fat, Jude Bellingham shënoi shpejt dhe e hoqi atë mërzi.”
Ky episod pritet të vazhdojë të diskutohet, sidomos për ndikimin që mund të ketë në garën për golashënuesin më të mirë të sezonit dhe në balancat brenda skuadrës së Real Madridit.
			

