Sergej Milinkovic-Saviç ishte një nga zbulimet më të mëdha të Tares, teksa u largua nga Lacio duke firmosur në kampionatin arab me skuadrën e Al Hilal në Arabinë Saudite ndërkohë që kjo lëvizje nuk i ka pëlqyer aspak ish-sulmuesit Miroslav Klose që e ka konsideruar të pakuptimtë lëvizjen që ai ka bërë.
Në një intervistë të dhënë për “Corriere dello Sport”, Klose u shpreh se Arabia është një kampionat për të mbyllur karrierën, ndërsa për moshën që Sergej ka, lëvizja është e gabuar.
“Kam parë 20 minuta të kampionatit arab në një ndeshje, nuk mund të them se çfarë niveli loje ka. Por shumë lojtarë po shkojnë atje, madje edhe nga Italia. Unë mendoj se nëse je në fund të karrierës, si Benzema apo Kristiano Ronaldo, atëherë mund të ketë një zgjedhje, por jo për Milinkoviçin, sepse është një rast ndryshe. Për mua, ai nuk ka moshën e duhur për këtë hap, do ta kisha parë më mirë në Angli apo Spanjë. Por është vendimi i tij dhe duhet ta pranojmë”, u shpreh Klose.
PANORAMASPORT.AL