Asnjëherë lideri fjalëshumë, por gjithmonë ai me fjalët e duhura. Havier Zaneti ka qenë simbol i Interi me numrin 4 në shpinë dhe është i tillë edhe tani që përfaqëson klubin si zëvendëspresident.
“Ndihem një burim për Interin”, kanë qenë fjalët e argjentinasit nga një samit i organizuar nga federata italiane e futbollit, duke treguar që ashtu si kur ishte në fushë, do të vazhdojë t’u shërbejë ngjyrave zikaltër para gjithçkaje tjetër.
Cili ka qenë modeli juaj?
Shembulli im ishte babai i cili më përcolli vlera shumë të rëndësishme njerëzore që më shoqëruan fillimisht si lojtar dhe tani si drejtues.
Orsato tha se ju merr shembull kur jep mësim në shkolla…
Të dëgjoj këto fjalë nga një arbitër i tillë më bën të lumtur sepse do të thotë që jam sjellë në një mënyrë të caktuar gjatë karrierës sime. Gjithmonë përpiqem t’u përcjell vlera fëmijëve të mi dhe të rinjve.
Karriera juaj është plot me rekorde, me çfarë merreni konkretisht si zëvendëspresident?
Si e keni menaxhuar kalimin nga lojtar në drejtues? Kur ndalova së luajturi futboll, i thashë vetes se do të më duhej të studioja dhe të mësoja për të arritur në atë nivel. Kështu që vendosa të vazhdoj studimet. Ishte një zgjedhje e rëndësishme për mua që të filloja këtë udhëtim. Më lejoi të zbuloja shumë gjëra që nuk i dija. Tani ndihem si ekspert, burim për klubin tim, për futbollin botëror. Jam pjesë e bordit të FIFA-s, UEFA-s, tek Interi jam zëvendëspresident dhe mbështes anën e korporatës dhe atë sportive. Në fushë duam të shohim një ekip kompakt dhe të bashkuar, tani që jam në tribunë e kuptoj se skuadra që formohet jashtë fushës është e rëndësishme.
Sekreti i jetëgjatësisë suaj në fushë…
Duhet përkushtim, respekt për profesionin dhe shumë punë. Përqendrimi ishte gjithmonë në maksimum dhe humbjet më bënë më të fortë. Gjithmonë vura veten në shërbim të shokëve, të gjithë ishim të rëndësishëm.
Ju keni qenë kapiten nga 2001 deri në 2014…
Kam qenë kapiten i kampionëve të mëdhenj, që mund të ishin vetë kapitenë. I lashë mënjanë të gjitha interesat për të mirën e ekipit. Edhe pa shirit, shokët më kanë respektuar gjithmonë për atë që isha.
Në aspektin mendor keni përballuar gjysmëfinale si ajo me Barcelonën…
Aspekti mendor është gjëja më e rëndësishme. Unë mendërisht kam qenë shumë i fortë. Të gjithë kemi momente të vështira në jetën tonë, jemi njerëz, por aspekti mendor bën diferencën. Pastaj Barça ishte ekipi më i mirë në botë me emra si Mesi, Iniesta, Ksavi, Ibra. Në “Camp Nou”, pas 20 minutash mbetëm me një lojtar më pak dhe te të gjithë ne lindi diçka që na nxiti për të mbërritur në finale. U sakrifikuam.
Cilët trajnerë patën ndikimin më të madh te ju?
Simoni, Murinjo, Bielsa. Të gjithë trajnerë që na bënë të shkojmë përtej mundësive tona, shumë të përgatitur, të kompletuar dhe me njohuri të gjera për futbollin dhe dinamikën.
Llojet e ndryshme të lidershipit…
Kam folur pak, vetëm nëse ka pasur nevojë. Kam dhënë shembull me vepra, shokët e skuadrës e kanë ditur që po veproja për të mirën e ekipit. Kjo është mënyra më e mirë për të demonstruar lidership.
Një lojtar e kupton menjëherë nëse nuk ka besimin e trajnerit…
Si lojtar e konfirmoj, kjo është arsyeja pse mbështetja e klubit është e rëndësishme, është thelbësore. Ruajtja e marrëdhënieve pastaj si drejtues nuk është e vështirë, duhet gjithmonë të krijosh lidhje dhe të shprehësh idenë për të përmirësuar situatën.
PANORAMASPORT.AL