Monday, 19. January 2026
Sport

Legjionarët, Muçi dhe Shpendi protagonistë me gola vendimtarë

GS 19/01/2026 2 Min. Lesezeit

Vazhdojnë paraqitjet pozitive të futbollistëve kuqezi që aktivizohen në arenën ndërkombëtare, duke dhënë kontribut të rëndësishëm me skuadrat e tyre respektive.

Ernest Muçi po konfirmon formën e shkëlqyer me Trabzonspor. Futbollisti kuqezi realizoi një tjetër gol vendimtar në kampionat, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij në transfertë ndaj Kocaelispor. Muçi shënoi golin e dytë në minutën e 90+1, ndërsa Trabzonspor triumfoi me rezultatin 2-1. Ky ishte goli i tetë i Muçit në kampionat.

Në mesjavë, ai shkëlqeu edhe në Kupën e Turqisë, ku shënoi dy gola dhe dha një asist në përballjen ndaj Istanbulspor.

Paraqitje shumë të mirë zhvilloi edhe Cristian Shpendi, i cili ishte protagonist absolut me Cesena-n. Sulmuesi kuqezi shënoi dy gola në fitoren në transfertë ndaj Reggiana-s, duke i dhënë skuadrës së tij suksesin 2-1.

Shpendi realizoi nga një gol në secilën pjesë, fillimisht në minutën e 30-të dhe më pas në minutën e 63-të, duke përmbysur rezultatin, pasi vendasit kishin kaluar në avantazh në minutën e 27-të.

Kontribut me skuadrat e tyre dhanë gjithashtu edhe legjionarë të tjerë të Kombëtares, si Thomas Strakosha, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Ylber Ramadani dhe Armando Broja.

Teilen: