Ylli i Bayern Munichut, Lennart Karl, ka mbajtur një qëndrim më të kujdesshëm në prag të përballjes me Real Madridin në Ligën e Kampionëve, pas reagimeve të forta që shkaktoi më herët te tifozët bavarezë. Ai kishte deklaruar se nuk do ta kishte problem të luante një ditë për klubin spanjoll, gjë që u prit me pakënaqësi nga një pjesë e tifozëve.
18-vjeçari e kuptoi shpejt jehonën e madhe që mori deklarata e tij dhe këtë herë zgjodhi një ton më të matur. I pyetur për ndeshjen ndaj Real Madridit, ai u shpreh:
“Shumë, sigurisht. Është një stadium i mrekullueshëm. Jam thjesht shumë i etur të luaj kundër tyre”, tha ai për gazetarin e Sky Germany, Kerry Hau.
Kësaj radhe, talenti i ri shmangu çdo koment që mund të rikthente polemikat, duke mos rënë në “kurthin” e pyetjeve provokuese.
Ndërkohë, Real Madridi dhe Bayern Munichu do të përballen në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, me bavarezët që konsiderohen favoritë falë formës së shkëlqyer që po kalojnë.