Një tjetër talent i futbollit shqiptar ka vendosur të ndryshojë drejtim. Sulmuesi 18-vjeçar i Tottenham Hotspur, Leon Myrtaj, ka zgjedhur të përfaqësojë Hungarinë në arenën ndërkombëtare, duke lënë pas Kombëtaren shqiptare.
Largimi i tij konsiderohet një humbje e rëndësishme për Shqipërinë U-19, pasi Myrtaj është cilësuar si një nga lojtarët më premtues të brezit të ri.
Ai është thirrur për herë të parë nga Hungaria U-19 për ndeshjet e muajit tetor ndaj Greqisë. Vendimi për të ndryshuar kombëtaren është marrë në bazë të origjinës së tij – nëna e Myrtajt është hungareze, çka i jep të drejtën të përfaqësojë këtë shtet.
Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi i tij, Tottenham, përmes një njoftimi zyrtar:
“Ndërkohë, lojtari tjetër i Akademisë, Leon Myrtaj, bashkohet me Hungarinë U-19 për herë të parë, pasi më parë kishte përfaqësuar Shqipërinë në nivelin e të rinjve.”
Myrtaj ka qenë pjesë e ekipeve të moshave të Shqipërisë, ku ka zhvilluar 10 ndeshje dhe ka shënuar 4 gola. Ai ishte gjithashtu pjesë e skuadrës kuqezi në Kampionatin Evropian U-17, i zhvilluar në Shqipëri. /ATVLIVE.TV