Sulmuesi i Barcelonës, Robert Levandovski, ka dhënë një intervistë ku nuk e ka kursyer gjuhën dhe kritikat.Polaku i ka përçuar një mesazh ligës spanjolle që të promovojë më shumë futbollin sulmues dhe argëtues, ndaj sipas tij gjyqtarët duhet të jenë pak më dorëlëshuar në vendimet e tyre. Gjatë një bisede me “Barça One”, sulmuesi ka reflektuar edhe për atë se si ka ndryshuar kampionati dhe beson se skuadrat në Spanjë kanë lënë pas dore futbollin sulmues dhe i mëshojnë më shumë mbrojtjes.
“Unë e kuptoj që skuadrat përpiqen të na pengojnë në një farë mënyre, por ndonjëherë edhe gjyqtarët e lejojnë këtë. Ata gjithmonë na thonë se ka kufij, por ata i përdorin ato në mënyra të çuditshme; kurrë nuk i kuptoni plotësisht se ku janë ato kufij. Mendoj se ata duhet të promovojnë më shumë futbollin sulmues. Ndonjëherë gjyqtarët na lejojnë të luajmë jo aq shumë në mënyrë të ashpër, por në një mënyrë më të pistë në tokë, që për mendimin tim është paksa e tepruar”, shpjegon sulmuesi i Barcelonës.
Më tej ai ka vijuar: Personalisht do të preferoja një faull fizik, madje dhe të ashpër – kuptohet jo me qëllim dashakeqës – se sa dikush të më varej nga mbathjet apo fanella, apo dikush të shtrihej përtokë. Kjo e bën të shëmtuar futbollin”. Levandovski gjithashtu ka pranuar se kur mbërriti në verën e vitit 2022 në Barcelonë, ai ishte i befasuar nga ajo çfarë gjeti në La Liga, diçka shumë më ndryshe nga ajo çfarë kishte ndër mend. “Shpresoja për një kampionat më teknik, por pas disa ndeshjesh, madje edhe disa muajsh, kuptova se nuk mund të krahasohej me vitet e kaluara. Tani, ka shumë skuadra që luajnë shumë në mbrojtje, duke u përpjekur të shkaktojnë faulle dhe të prishin lojën e kundërshtarit. Stili sulmues i lojës është zbehur pak. Më parë, shënoheshin shumë gola”.
AMBICIA – Barcelona është ende në “gjueti” për të gjithë titujt në këtë sezon dhe Levandovski shpreson të fitojë sa më shumë që të jetë e mundur. Në fakt, ai synon direkt Kupën e Mbretit, pasi është një trofe që nuk e ka fituar ende. Në çdo rast, sulmuesi preferon ta marrë lehtë dhe të mos shikojë shumë përpara. “Ju e dini se unë gjithmonë dua të fitoj gjithçka. Është më mirë ta marrim ndeshje pas ndeshjeje. Shpresoj se mund të fitojmë Kupën e Mbretit, të cilën nuk e kam fituar ende. Fitimi i Ligës së Kampioneve është gjithmonë një ëndërr dhe do të ishte shumë e veçantë ta bëja me këtë klub, por ka ende një rrugë të gjatë për të bërë një sezon, gati tre muaj. Në nivel individual, dua të shënoj sa më shumë gola”, tha ai.
E ARDHMJA – Sulmuesi ka folur dhe për jetën e tij në Barcelonë dhe të ardhmen që e pret. Sulmuesi edhe një herë po e lë të hapur derën për të qëndruar në Barcelonë, pasi të vendosë të varë këpucët. “Gjithmonë e kam trajtuar kohën time këtu si një përvojë jetësore, duke parë se çfarë mund të më ofronte ky klub apo jetesa në këtë qytet pas karrierës sime”, pranon ai.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL