Robert Levandovski është 37 vjeç, por po e vërteton që në këtë fillim të sezonit se mosha nuk ka shumë rëndësi për lojtarët e kalibrit të tij.
Ai ka shënuar shtatë gola në nëntë ndeshjet e tij të para në La Liga, përfshirë një tripletë vendimtare në fitoren e fundit të blaugranëve kundër Selta Vigos.
Jo se nevojiten shifra për të paraqitur një kampion të kalibrit të tij, por dyshimet e fundit të ngritura nga vetë lojtari për të ardhmen e tij lënë të hapura sugjerime të panumërta për fazën e tij të ardhshme të karrierës.
Nga kampi i tij stërvitor në Poloni, kur u pyet nëse do të qëndronte te Barcelona, ai e bëri të qartë se kishte disa rezerva: “Nuk e di ende përgjigjen. Kjo është arsyeja pse nuk jam me nxitim. Jam në paqe me veten time. Dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Edhe nëse, për shembull, klubi do të më kontaktonte tani, unë prapë nuk do t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje. Sepse edhe unë duhet të di se çfarë është më e mira për mua. Tani për tani, jam i qetë, nuk jam me nxitim dhe, për momentin, nuk pres asgjë tjetër”, deklaroi Leva.
Ndërkohë, një klub italian si Milani është shfaqur si kandidat i mundshëm për të.
Sipas Tuttosport, kuqezinjtë e kanë ndjekur atë për ca kohë, madje kanë kontaktuar me rrethin e tij për të shprehur interesin e tyre. Brenda pak muajsh, do të jetë e qartë nëse Leva do të vazhdojë te Barca apo nëse Milani ose diku tjetër mund të jetë e ardhmja e tij.


