Të shtunën, “Allianz Arena” ishte mbush ur plot për të shijuar një fitore të Bajernit. Dhe, në fakt, djemtë e Vinsent Kompanit i respektuan pritshmëritë duke mundur Maincin. Sane hapi “vallet” më minutën e 27-të pas një pasimi të Lajmerit, teksa ishte po ky i fundit që shërbeu për Olise, që dyfishoi shifrat 13 minuta më pas.
Rreth fundit të takimit pati lavdi edhe për Dajerin, që vulosi rezultatin në 3-0. Por, përveç gëzimit të fitores, asnjë festë shtesë për bavarezët, sepse Leverkuseni fitoi gjithashtu ndaj Augsburgut. Golat e Shik dhe Buendias, në këtë mënyrë, shtyjnë festën e Bajernit të Mynihut që mund të vijë të shtunën e ardhshme në rast suksesi kundër Lajpcigut.
LOT LAMTUMIRE – Ndërkohë, në “Allianz Arena” kishte kohë edhe për lot. Lamtumirë e konfirmuar dhe mallëngjim nga ana e Tomas Mylerit, i cili arriti një rekord historik në Bundesligë, pasi kundër Maincit festoi plot 500 ndeshje me fanellën e klubit më të titulluar në Gjermani. Pas ndeshjes, 25-vjeçari u prononcua edhe në media, duke deklaruar: “Ishte një fitore vendimtare dhe besoj se tashmë titulli është çështje ditësh. Pas daljes nga Liga e Kampioneve prisja që ne të kishim paraqitje të mira.
Kjo, për arsye sepse ka pasur disa rikthime dhe mundëm të mbështeteshim te të gjithë ata që luajtën”. Fundi i sezonit është në horizont dhe Myler do të ketë një zgjatje të lehtë kontrate, për të luajtur Botërorin për klube. Ishte minimumi që klubi mund të bënte për një legjendë të gjallë.
“Gjithçka shkoi sipas planit kundër Maincit. Duhet të falënderoj tifozët që na mbështetën edhe sot. Kisha emocione përpara sfidës, sepse ngadalë po e kuptoja se ishte ndeshja ime parafundit në shtëpi. Ndihem çuditshëm”, e mbylli futbollisti me numër “25” te Bajerni. Dueli me Gladbahun në datën 10 maj do të jetë i fundit për 35- vjeçarin në “Allianz Arena” si lojtar i bavarezëve.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL