Qeni i Lewis Hamilton ka ndërruar jetë. Vetë piloti i Ferrari njoftoi për ndarjen nga jeta të Roscoe në kanalet e tij në mediat sociale.
Bulldog-u, një shok i pandashëm për më shumë se një dekadë në pistë dhe jashtë saj, vdiq në krahët e 8 herë kampionit të botës në Formula 1.
“Pas katër ditësh kujdes intensiv, gjatë të cilave ai luftoi me gjithë forcën e tij, më është dashur të marr vendimin më të vështirë të jetës sime dhe t’i them lamtumirë Roscoe. Ai nuk pushoi kurrë së luftuari deri në fund“, shkroi piloti i Ferrari në një mesazh të gjatë në Instagram.
Kampioni britanik, i cili kohët e fundit kishte hequr dorë nga disa angazhime me makinën italiane për të qenë me qenin, foli për dhimbjen e vendimit për ta vënë kafshën në gjumë.
“Të vësh një qen ‘në gjumë’ është një nga përvojat më të dhimbshme dhe ndiej një lidhje të thellë me të gjithë ata që kanë përjetuar humbjen e një kafshe shtëpiake të dashur“, shtoi Hamilton.
Më pas, ai kujtoi lidhjen e tij të pathyeshme me Roscoe: “Jam shumë mirënjohës dhe i nderuar që e kam ndarë jetën time me një shpirt kaq të bukur, një engjëll dhe një mik të vërtetë”.
“Mirëpritja e Roscoe në jetën time ishte vendimi më i mirë që kam marrë ndonjëherë dhe do t’i çmoj përgjithmonë kujtimet që krijuam së bashku”, tha Hamilton.