Lideri i tifogrupit ”Plisat”, Rinor Grajqevci, emërohet ushtrues detyre i kryetarit të Sigal Prishtinës
Rinor Grajqevci, lider i tifogrupit prishtinas, Plisat dhe anëtar i Bordit Drejtues të KB Sigal Prishtina, është emëruar ushtrues detyre i kryetarit të klubit.
Kryetari i klubittë basketbollit, Sigal Prishtina, Bekë Berisha, përmes një autorizimi të datës 21 janar, e ka autorizuar Grajqevcin, të ushtrojë detyrat dhe kompetencat e kryetarit, për shkak të “situatës së krijuar dhe pamundësisë momentale” të Berishës për ta ushtruar funksionin.
Në letrën e autorizimit thuhet se vendimi është marrë në përputhje me Statutin e klubit, konkretisht nenin 27, paragrafi 2, duke theksuar se pamundësia për ushtrimin e detyrës lidhet me angazhimet e tjera politike të kryetarit aktual.
Përmes këtij autorizimi, Grajqevci emërohet njëkohësisht edhe nënkryetar i klubit, ndërsa do të ushtrojë të gjitha funksionet e kryetarit gjatë mungesës së Berishës. Dokumenti specifikon se autorizimi ka fuqi të plotë juridike dhe do të jetë i vlefshëm deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të klubit.
Po ashtu, në dokument thuhet se gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës, Grajqevci do të ketë të gjitha të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e kryetarit.
Te Sigal Prishtina ka pasur zhvillime të shumta kohëve të fundit. Pas dorëheqjes së Kryesisë së vjetër, në krye të klubit më 14 janar erdhi Bekë Berisha. Por emërimi i tij u kundërshtua fuqishëm nga Plisat. Vetëm tre ditë më vonë, në një mbledhje të mbajtur bashkë me përfaqësuesit e tifozëve, Berisha konfirmoi se do të japë dorëheqje.
Edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pati paralajmëruar Berishën se duhet të zgjedhë, ose të jetë deputet ose kryetar i klubit.