Tuesday, 7. April 2026
Sport

​Ligji për Lojërat Mesdhetare dërgohet në Kuvendin e Kosovës për miratim

GS 07/04/2026 2 Min. Lesezeit

Me 7 vota pro dhe një abstenim, Projektligji për Lojërat Mesdhetare është dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për lexim të parë.

Në Komisionin për Kulturë, Sport dhe Turizëm, Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani tha se hartimi i projektligjit për Lojërat Mesdhetare është ndërmarrë në kuadër të mandatit të ministrisë, duke theksuar se për herë të parë në histori, Kosova do të jetë nikoqire e këtij organizimi madhor sportiv.

Ai e cilësoi këtë projektligj si një nismë me interes të lartë publik dhe kombëtar, duke shtuar se organizimi i Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 do të ndikojë në fuqizimin e infrastrukturës sportive, zhvillimin ekonomik dhe promovimin ndërkombëtar të vendit. Sipas tij, ky projekt përfaqëson gjithashtu një investim të rëndësishëm në zhvillimin e të rinjve dhe avancimin e sportit në Kosovë.

Gashani bëri të ditur se projektligji synon të përcaktojë rregullat, procedurat dhe përgjegjësitë institucionale për organizimin e edicionit të 21-të të këtyre lojërave, duke përfshirë edhe miratimin e shfrytëzimit të fondeve publike në vlerë prej së paku 253 milionë eurosh.

Tutje, ai theksoi se ligji rregullon kompetencat e Komiteti Olimpik i Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe komunave të tjera përkatëse, duke nënvizuar se burimi kryesor i financimit do të jetë buxheti i shtetit. Në këtë drejtim, ai shtoi se institucionet do të angazhohen për të krijuar kushtet optimale dhe për të siguruar bashkëpunim të plotë institucional, me qëllim organizimin sa më të suksesshëm të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.

Teilen: