Pasi përjetoi një sezon zhgënjyes në Superligë duke rënë menjëherë në Ligën e Parë, tek klubi futbollistik Liria po ndodhin ndryshime të mëdha. Pas dorëheqjes së ish-pronarit Rahman Kiçe, drejtimin e klubit e kanë marrë shtatë aksionarë të rinj me në krye Valon Osmanin i cili është zgjedhur kryetar i Lirisë.
Osmani ka folur në një intervistë ku ka zbuluar planin e tij për ringjalljen e Lirisë ku ka thënë se si qëllim kryesor e ka stabilizimin e klubit në aspektin financiar.
Osmani: Lirinë do ta kthejmë në rrugën e duhur
“Qëllimi ynë është të arrijmë t’ia kthejmë klubit atë harmoninë, atë emrin e madh që e ka Liria dhe normal që stabiliteti ynë do të jetë buxheti vjetor. Ne veç se e kemi planifikuar buxhetin vjetor, i kemi planifikuar shpenzimet mujore dhe vjetore që Liria ta këtë një stabilitet të pagave dhe të gjitha shpenzimeve…Këtë vit Liria do ta ketë një stabilitet të mirë dhe të gjitha gjërat do të ecin sipas kohës, kontratat, prandaj lojtarët e kanë parë që i kemi bërë kontratat, parapagimet dhe të gjitha janë duke shkuar siç duhet”, tha fillimisht Osmani.
Pas ardhjes së pronarëve të rinj, Liria deri më tani ka bërë tetë përforcime, por Osmani ka zbuluar se janë në bisedime edhe me dy lojtarë nga Nigeria.
Osmani: Jemi në bisedime edhe me dy lojtarë nga Nigeria
“Deri më tani kemi marrë tetë lojtarë, kemi kryer transferimet, shumica janë nga Shqipëria dhe kemi shumë lojtarë cilësor edhe dy veta jemi duke pritur për nënshkrime, do të ketë transferime. Më datën 18 do të shkoj në Nigeri sepse kemi bërë kontratë me një klub të madh në Nigeri, kemi një turnir atje nga data 18 deri më 24 korrik, kemi dy apo tre lojtarë shumë cilësor që po i kërkon gjithë Evropa dhe ndoshta mund ta kryejmë transferimin e tyre”, bëri të ditur Osmani.
Ndërsa në aspektin sportiv, objektivi i madh është rikthimi i menjëhershëm në Superligën e Kosovës në futboll.
Osmani: Do japim gjithçka që Lirinë ta kthejmë në Superligë
“Liga e Parë është bërë shumë e fortë dhe shumë emocione ka, sivjet po besoj që do të jetë luftë e madhe. Normalisht qëllimi ynë i parë është të rikthehemi ky qytet, ky klub në Superligë, nuk diskutohet. Çfarëdo që nevojitet për atë punë do të punojmë në maksimum, ne, publiku, qyteti, sponsorët…Ky qytet po të dojë e mbush arkën e Lirisë shumë dhe ndoshta të parët bëhemi në Kosovë”, theksoi Osmani.
Në fund, i pari i KF Lirisë kishte edhe një mesazh për tifzët të cilët njihen si “Arpagjikët”
Osmani: Klubi nuk është i imi, është i të gjithë qytetit
“Ne qëllimin e kemi që t’i japim klubit një garanci dhe publikut që të jemi këtu afatgjatë për t’i drejtuar. Ka probleme shumë, në Kosovë kemi probleme shumë të mëdha, por unë do të jepja një mesazh të gjithë publikut që ky është klub i të gjithë qytetit, ky nuk është klubi im, ne e kemi hequr fjalën ‘pronar’, nuk ka këtu pronar, ne jemi të gjithë djemtë punëtorë dhe biznesmen të qytetit që kemi ardhur për ta bashkuar këtë klub përsëri aty ku e ka vendin dhe për ta bashkuar të gjithë qytetin me klubin sepse a je në Ligën e Parë, në Superligë apo në Ligën e Dytë, ne klub tjetër nuk kemi”, tha në fund Osmani.
Osmani kërkoi gjithashtu edhe investime në renovimin e stadiumit “Përparim Thaçi” nga ana e Komunës së Prizrenit si dhe Ministria e Sportit.