Klubi i Futbollit FC Liria ka njoftuar se ka shkarkuar nga detyra e kryetrajnerit, Klodian Duro, i cili është larguar nga drejtimi i skuadrës për arsye personale.
Ish-futbollisti i Kombëtares dhe trajneri i ekipeve në Kosovë e Shqipëri, udhëhoqi skuadrën prizrenase në fillim të kij kampionati, në Ligën e Parë, por pa pasur rezultatet e pritshme nga klubi dhe tifozët.
Liria pas tetë xhirove zë vetëm pozitën e dhjetë në tabelë, me vetëm 12 pikë. Skuadra ka tri fitore e tri barazime, por ka pësuar dy humbje përfshirë ndeshjen e fundit, kur u mposht nga 2 Korriku, që pas shtatë xhirove e gjeti fitoren e parë, pikërisht ndaj prizrenasve.
“FC Liria shpreh mirënjohjen më të thellë për përkushtimin, punën e palodhur, kontributin dhe profesionalizmin që trajneri Duro ka treguar gjatë gjithë periudhës së tij në klub. I urojmë suksese të shumta në të ardhmen, si në aspektin personal, ashtu edhe në karrierën profesionale.
Në ditët në vijim, klubi do të njoftojë mbi zgjedhjen e trajnerit të ri dhe hapat e mëtejshëm në drejtimin e skuadrës”, ka shkruar skuadra në Facebook.
Jo zyrtarisht mësohet se në vend të Duros, drejtuesit e klubit janë duke e shqyrtuar angazhimin e Liridon Lecit, që aktualisht është pa klub.