Lista e Përfaqësueses së Kosovës është një nga temat më të diskutuara në futbollin kosovar.
Të premten e kaluar trajneri i “Dardanëve”, Primozh Gliha, bëri të ditur futbollistët, të cilët do të jenë të pranishëm për ndeshjet e tetorit.
Vend në përfaqësuese këtë herë kishte për Lumbardh Dellovën e Qëndrim Zybën të Ballkanit si dhe për Ilir Krasniqin e Llapit.
Shkëlqim Vladi është emër i ri. Sulmuesi i Luganos në fakt është ftuar edhe më parë, por ishte lënduar dhe nuk u grumbullua.
Tashmë janë kthyer Elbasan Rashani dhe mbrojtësi Lirim Kastrati, që luan për Ujpestin në Hungari. Hungaria nuk shquhet për ndonjë kampionat cilësor.
Analistët e futbollit, Bylbyl Sokoli dhe Taulant Dajaku për Lajmin.net kanë folur për ndryshimet në listë, si dhe ftesën e lojtarëve të Superligës së Kosovës.
“Timonieri” Sokoli ka theksuar se ky grumbullim do të shërbejë si përgatitje për kualifikimet e radhës.
“Varësisht prej qëllimit të përzgjedhësit janë ftuar lojtarët e caktuar. Përfaqësuesja e Kosovës i ka humbur gjasat për kualifikim dhe tani bëhet një përzgjedhje e kombinuar dhe e projektuar për kualifikime te reja”, tha Bylbyl Sokoli për lajmi.net.
Sokoli tutje shtoi se përmes listës së publikuar Gliha ka treguar besimin te Superliga e Kosovës.
“Lumbardh Dellova, Qëndrim Zyba dhe Ilir Krasniqi janë lojtarë të kampionatit të Kosovës. I ftuar është edhe Meriton Korenica deri dje i kampionatit të Kosovës.
Kjo tregon se Gliha i beson edhe lojtarëve të kampionatit të Kosovës. Asnjëherë nuk ka pas ma shumë futbollistë nga kampionati i Kosovës. Si do të prezantohen do të mbetet të shihet gjatë zhvillimit të ndeshjeve të radhës. Besoj se Gliha po e përgatit Përfaqësuesen e Kosovës për kualifikimet e radhës. Përveç prurjeve të reja Kosova ka humbur disa lojtarë që kanë vendosur të përfaqësojnë shtete të tjera”, theksoi Sokoli.
Kritik për listën e Glihas është ish-mesfushori Taulant Dajaku.
“Fatkeqësia e gjithë situatës së krijuar është se janë ftuar disa nga elementet e mirë që të gjithë ne në media kemi bërtitur. Ata duhej ftuar që në kohën që Përfaqësuesja jonë ishte në luftë për kualifikim. Njerëzit që menaxhojnë përfaqësuesen tonë janë nën presionin publik dhe kanë thirrur këta lojtarë vetëm që të amortizojnë dështimin e madh të Kosovës në këto kualifikime. Prandaj sipas mendimit tim ky është një përdorim i listës për të zbutur iritimin nga dështimi, më shumë se sa që më duket si një plan i vërtetë. Vijmë në grumbullimin e radhës pas dështimeve të mëdha dhe ambiciet e grupit janë të vogla. Detyrimisht edhe mundësia e paraqitjes së këtyre elementeve të rijnë me Kosovën do të jetë e vogël në krahasim nëse këta do ftoheshin në kohën kur lufta sportive kishte ende shpresa për kualifikim”, vlerësoi Taulant Dajaku.
“Është shumë mirë që lojtar si Zyba janë ftuar, pasi në atë pozicion ne kemi pasur nevojën më të madhe. Do ishte shumë mirë që Tandemi me Edin Kuç (i ftuat nga Mali i Zi) të ishte në përfaqësuese, por neglizhimi i njerëzve aty bën që Kuç të ikte e të ftohej prej Malit të Zi. Sigurisht mos ftesa e Ibrahim Dreshevic, kur shihet se mungon Amir Rrahmani nga lëndimi është habi e llojit të vet. Gjithsesi uroj që të jetë ky dështim kaq i madh si një mësim po kaq i madh, por të them të vërtetën unë ashtu si shumica e njerëzve që duan të shohin Kosovën në më të mirën e saj, kemi dyshime se më e mira e Kosovës nuk mund të nxirret nga këta njerëz të paaftë që janë vendosur në krye të përfaqësueses”, potencoi Dajaku.
Ai po ashtu e ka quajtur të papranueshëm reagimin pas thirrjeve kundër Kosovës në Rumani.
Përballja me Rumaninë u ndërpre për 50 minuta, për shkak të thirrjeve “Kosova është Serbi” nga tifozët vendas.
Kosova më 12 shtator ka pësuar 2:0 nga Rumania, për të dalë thuajse plotësisht nga gara për kualifikim në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.
“Mendoj është e tmerrshme që pas një dështimi në gjitha dimensionet që ndodhi në Rumani neve ende s’kemi bërë reagimin e duhur në instancat e UEFA-s për diskriminimin dhe s’kemi quar ende dosjen tone ne CAS. Shto këtu edhe pas asaj që Edon Zhegrova tha se ka disa probleme te brendshme (dhe doli video e qartë e veprimit të Glihas në mënyrë të dhunshme ndaj një nga aseteve më të çmuara të përfaqësueses tonë në të ardhmen ne ende s’kemi parë një reagim serioz për të sqaruar situata të tilla që prodhojnë dekurajim, kjo më lë shumë dyshues edhe për të ardhmen dhe kam frike se nga zhgënjimi në zhgënjim do kalojmë nëse nuk i trajtojmë këto gjëra në mënyrën e duhur”, përfundoi Taulant Dajaku.
Kosova më 12 shtator ka pësuar 2:0 nga Rumania, për të dalë thuajse plotësisht nga gara për kualifikim në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.
“Dardanët” do të zhvillojnë dy ndeshje në tetor, fillimisht do të udhëtojnë drejt Andorrës (12 tetor), pastaj do të përballet me Izraelin, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, më 15 tetor në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Lista e Kosovës për ndeshjet e tetorit
Arjanet Muriq (Burnley), Visar Bekaj (Hatayspor), Samir Ujkani (pa ekip)
Leart Paqarada (Koeln), Florent Hadërgjonaj (Alanyaspor), Kreshnik Hajrizi (Lugano), Lirim Kastrati (Ujpest), Fidan Aliti (Alanyaspor), Ismajl Beka (Luzern), Betim Fazliji (St. Gallen), Ilir Krasniqi (Llapi), Lumbardh Dellova (Ballkani), Florian Loshaj (Istanbulspor), Qëndrim Zyba (Ballkani), Florent Muslija (Paderborn), Meriton Korenica (Manisa), Edon Zhegrova (Lille), Milot Rashica (Beshiktash), Bernard Berisha (Akhmat), Elbasan Rashani (Clermont), Altin Zeqiri (Rizespor), Zymer Bytyqi (Antalyaspor), Vedat Muriqi (Mallorca), Albion Rrahmani (Rapid Bukureshti), Shkëlqim Vladi (Lugano). /Lajmi.net/