Zlatan Ibrahimoviç ka marrë detyrën për të gjetur trajnerin e ri të Milanit, edhe pse padyshim që zgjedhja përfundimtare do të jetë në duart e Xherri Kardinales. Ibra këmbëngul për Antonio Konten, emër që do të rriste entuziazmin e kuqezinjve, por drejtuesit e bënë të kuptonte se operacioni, mes pagës dhe lojtarëve për të blerë, do të shkonte përtej buxhetit të vendosur.
Tani profile të ndryshme janë duke u vlerësuar, por Mark Van Bomel, trajneri aktual i Antversë, është në krye të listës, të paktën siç raporton “SKY”. Ish-mesfushori do të ringjallte moton e lashtë “Milanin milanistëve”, duke qenë se si lojtar kaloi një sezon e gjysmë me kuqezinjtë, duke fituar trengjyrëshin në vitin 2011. Pas 50 prezencash me “Djallin” në momentin e lamtumirës ai derdhi edhe lot, gjë që e futi në zemrat e tifozërisë. Si trajner, pasi kishte vepruar si zëvendësi i Van Marvajk, punoi te PSVja dhe Volfsburgu, përpara se të shpërthente në Antversa, ku fitoi një kampionat dhe një Kupë Belgjike. Këtë sezon ai ende po lufton për titull dhe kontrata e tij skadon në vitin 2025. Van Bomel është një trajner që preferon futbollin sulmues, i cili nis nga 4-3-3 dhe zhvillohet duke kërkuar gjerësi me krahët dhe presionin e lartë.
ALTERNATIVA Megjithatë, ai nuk është kandidati i vetëm. Pasi hipoteza e Lopeteguit është ftohur, trajnerët e rinj me perspektiva të shkëlqyera loje po vlerësohen. Në garë mbeten Fonsea, ish-udhërrëfyesi teknik i Romës tani në Lila, por i kërkuar edhe nga Marseja. Një emër që po merr hapësirë në orët e fundit është edhe Domeniko Tedesko. Ai pëlqehet shumë nga pjesë e drejtuesve në Shtetet e Bashkuara, por problemi qëndron në faktin se është trajner i Belgjikës dhe se nuk mund të diskutohet përpara përfundimit të Europianit. Emra të tjerë janë ai i Palldinos, një nga teknikët e rinj më interesantë në Serie A, dhe Farioli, trajner i Nisës dhe ish-anëtar i stafit të De Zerbi. Tiago Mota është gjithashtu objektiv, por Juve ka marrë përparësi në zgjedhjen e italo-brazilianit që aktualisht po drejton me shumë sukses Bolonjën.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL