Pas disa orësh proteste dhe tensionesh pranë Ministrisë së Arsimit, përplasjet mes protestuesve dhe policisë janë zhvendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Situata është përshkallëzuar sërish, me protestuesit që kanë hedhur gurë dhe molotovë në drejtim të policisë, ndërsa efektivët janë kundërpërgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Kjo është dita e 5-të e protestave të dhunshme dhe të tensionuara në Tiranë, ku studentët, gjimnazistë e qytetarë u mblodhën fillimisht te Ministria e Arsimit, ku situata u përshkallëzua kur disa protestues u vunë flakën koshave të mbeturinave, shkulën kangjellat e trotuarit dhe i vendosën në mes të rrugës.
Në drejtim të policisë u hodhën gurë dhe sende të forta, ndërsa forcat e rendit ndërhynë me ujë dhe gaz lotsjellës, në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe për të liruar rrugën.


Çfarë ndodhi gjatë katër orëve të protestës para Ministrisë së Arsimit?
Protesta studentore, e cila ka hyrë sot në ditën e pestë, nisi në orën 11:00 para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku nxënës, studentë dhe qytetarë u mblodhën për të protestuar. Tubimi ishte paralajmëruar si një protestë gjithëpërfshirëse kombëtare, me pjesëmarrjen e gjimnazistëve, studentëve dhe qytetarëve.
Për orë të tëra, protesta vijoi para godinës së ministrisë, ndërsa situata nisi të tensionohej pas mesditës. Fillimisht, disa prej protestuesve shkulën kangjellat e trotuarit pranë institucionit dhe i vendosën në mes të rrugës, duke penguar qarkullimin. Më pas, disa kosha mbeturinash u përfshinë nga flakët, duke bërë që situata të përshkallëzohej.
Në këto momente, Policia ndërhyri me makinat ujëhedhëse për të larguar koshat e mbeturinave nga rruga dhe për të shpërndarë protestuesit. Por ndërhyrja u shoqërua me përplasje, pasi një pjesë e protestuesve nisën të hedhin gurë dhe sende të forta në drejtim të forcave të rendit.
Tensionet u shtuan edhe më tej kur, sipas raportimeve nga terreni, në drejtim të efektivëve u hodhën bomba molotov. Përballë kësaj situate, policia vijoi ndërhyrjen me ujë, duke u përpjekur të largonte turmën nga zona pranë Ministrisë së Arsimit dhe të rikthente kontrollin në rrugë.
Gjatë këtyre orëve, situata mbeti e tensionuar, ndërsa forcat e rendit ndërhynë për të mbrojtur institucionin dhe për të menaxhuar përshkallëzimin e protestës.
/rtsh.al/