Championsi vazhdon sonte me super-debin Liverpool – Real
Liga e Kampionëve do të vazhdojë sonte me nëntë ndeshje të tjera të xhiros së pestë të fazës së ligës.
Ndeshje të tjera interesante na presin në garën më prestigjioze të futbollit evropian pas atyre të mbrëmshme.
Por, pa dyshim se fokusi i të gjithëve do të jetë i përqendruar tek super-derbi evropian, Liverpool – Real Madrid.
Këto dy ekipe i hyjnë këtij takimi me formë diametralisht të kundërt.
“Reds” janë në super-formë dhe kanë seri perfekte prej katër fitoresh nga po aq ndeshje në Champions.
Andaj, ata përballë tifozëve të tyre synojnë t’ia shkaktojnë kampionit evropian humbjen e tretë në këtë edicion.
Megjithatë, “Los Blancos” pas humbjes në shtëpi nga Milani janë të vendosur të këndellen, ndonëse i pret një punë mjaft e vështirë në “Anfield Road”.
Kampionët kanë ditur të këndellen në momentet e vështira dhe për këtë po punon trajneri Carlo Ancelotti, edhe pse e ka një skuadër në emergjencë, pas lëndimeve të shumta të këtij sezoni.
E sonte na presin edhe tetë ndeshje të tjera.
Një tjetër sfidë interesante do të jetë ajo mes Aston Villës dhe Juventusit.
Ekipi anglez ka befasuar për të mirë duke i regjistruar tri fitore nga katër ndeshje.
Andaj, skuadra nga Birminghami kërkon t’i mbajë pikët në shtëpi.
Në anën tjetër, “Bianconeri” do të shkojnë në Angli për t’i marrë tri pikë dhe për t’u ngritur në tabelë.
Ata momentalisht i kanë 2 fitore, 1 barazim e 1 humbje.
Sonte në fushën e blertë do të zbresë edhe Lille i Edon Zhegrovës.
Ylli kosovar do të mundohet ta vazhdojë shkëlqimin në Champions me një tjetër paraqitje brilante ndaj Bolognas në Itali.
Ekipi nga Serie A nuk e ka shijuar ende fitoren në këtë garë, ndërsa francezët do ta kërkojnë fitoren e tretë pasi i mposhtën gjigantët madrilenë, Realin e Atleticon.
Pjesa dërrmuese e ndeshjeve të sontme do të nisin në orën 21:00.