Chelsea ka mposhtur Liverpoolin me rezultat 2:1 në një ndeshje dramatike të javës së 7-të në Premier League, të zhvilluar në “Stamford Bridge”. Blutë kaluan në epërsi qysh në minutën e 14-të me një super gol nga Moises Caicedo, i cili u asistua nga Malo Gusto.
Liverpool reagoi në pjesën e dytë dhe arriti të barazojë në minutën e 63-të me golin e Cody Gakpo, pas një pasimi nga Alexander Isak, transmeton lajmi.net.
Kur u duk se ndeshja do të përfundonte në barazim, Chelsea goditi në sekondat e fundit. Në minutën e 96-të, talenti brazilian Estevão shënoi golin vendimtar, pas një asistimi nga Marc Cucurella, duke vulosur fitoren 2:1 për vendasit.
Pas kësaj humbjeje, Liverpool zbret nga pozita e parë në tabelë dhe mbetet me 15 pikë, një më pak se Arsenali që fitoi më herët gjatë ditës. Kjo është humbja e tretë radhazi për “The Reds” në të gjitha garat. Ndërkohë, Chelsea ngjitet në vendin e gjashtë me 11 pikë dhe merr vrull në garën për pozitat e larta në kampionat./lajmi.net/