Liverpooli ka bërë një ofertë fillestare për rinovimin e kontratës me Mohamed Salah. Kontrata aktuale e 32-vjeçarit skadon në fund të këtij sezoni dhe, sipas burimeve të ndryshme të njohura me procesin, edhe Virgil van Dijk, i cili gjithashtu në fund të sezonit do të dilte i mirë, ka marrë një propozim për marrëveshje të re.
Kjo nuk do të thotë se është arritur një marrëveshje apo se është afër. Megjithëse në Anfield ekziston një besim në rritje se të dy lojtarët do të qëndrojnë, për momentin nuk ka asnjë siguri.
Zgjidhja e situatës pritet të marrë kohë, gjë që nuk është ideale për Liverpoolin, duke qenë se Salah dhe Van Dijk, së bashku me Trent Alexander-Arnold, mund të nënshkruajnë një parakontratë me ekipe të tjera nga 1 janari.
Megjithatë, të tre lojtarët tani kanë marrë propozime nga klubi dhe bisedimet vazhdojnë.
Më herët këtë muaj, “The Athletic” raportoi se Salah ende po priste që Liverpooli të qartësonte qëndrimin e tij në lidhje me kohëzgjatjen dhe vlerën e rinovimit të mundshëm.
Javën e kaluar u mësua gjithashtu se kapiteni Van Dijk kishte marrë një ofertë, ndërsa një propozim ishte bërë edhe për Alexander-Arnold.
Salah ka qenë në formë të shkëlqyer për Liverpoolin këtë sezon, duke shënuar 15 gola dhe dhënë 12 asiste në të gjitha garat. Kontributi i tij i fundit ishte me dy gola dhe një asistim në barazimin 3-3 ndaj Newcastle United të mërkurën.
Që nga transferimi i tij nga Roma në vitin 2017, Salah ka shënuar 226 gola në 370 paraqitje për Liverpoolin. Gjatë kësaj periudhe, ai ka fituar Premier League, UEFA Champions League, FA Cup, League Cup, Superkupën Evropiane dhe Kupën e Botës për Klube.