Monday, 10. August 2026
Sport

Liverpooli zyrtarizon Araujon

GS 10/08/2026 2 Min. Lesezeit

Liverpooli ka arritur marrëveshje për transferimin e mbrojtësit Ronald Araujo në huazim nga Barcelona për sezonin 2026/27.

Marrëveshja mbetet në pritje të pajisjes me leje pune dhe përfundimit të procedurave të nevojshme për regjistrimin ndërkombëtar.

Mbrojtësi uruguaian, i cili ka mbi 200 paraqitje me fanellën e Barcelonës, do t’i bashkohet skuadrës së Liverpoolit përpara fillimit të sezonit të ri.

Araujo, 27 vjeç, ka fituar tre tituj të La Ligës me Barcelonën, përfshirë edhe sezonin e fundit, ndërsa në fillim të këtij viti u emërua kapiten i klubit katalanas.

Pas zyrtarizimit të huazimit, Araujo shprehu entuziazmin e tij për aventurën e re në Angli.

“Mezi pres të filloj. Jam shumë, shumë i lumtur. Jam i emocionuar që jam këtu, në një klub kaq të madh dhe me kaq shumë histori. Mezi pres të takoj shokët e rinj të skuadrës dhe të filloj të luaj. Jam shumë i motivuar dhe mezi pres të nis,” u shpreh uruguaiani për Liverpoolfc.com.

Ai e cilësoi transferimin te Liverpooli si lëvizjen e duhur në këtë fazë të karrierës së tij.

“Mendoj se ishte lëvizja ideale për mua në këtë moment të karrierës. Ishte një hap që më duhej ta ndërmerrja. Sapo dëgjova për interesimin e Liverpoolit, gjithçka ndodhi shumë shpejt. Jam jashtëzakonisht i lumtur që jam këtu dhe besoj se ishte lëvizja e duhur në momentin e duhur.”

Araujo, i cili do të mbajë fanellën me numrin 33, mund të luajë si qendërmbrojtës, por gjithashtu është i aftë të mbulojë edhe pozicionin e mbrojtësit të djathtë.

Karrierën profesionale e nisi te klubi uruguaian Rentistas, ndërsa pas vetëm një sezoni te Boston River u transferua në Evropë, duke iu bashkuar Barcelonës në vitin 2018.

Fillimisht, ai luajti për ekipin B të klubit katalanas, përpara se të bëhej një nga lojtarët kryesorë të skuadrës së parë dhe më pas kapiten i Barcelonës.

Teilen: