Real Madrid ka një telash të madh për të zgjidhur para Botërorit të Klubeve. Dhe nuk ka të bëjë me pasardhësin e Ançelotit, pasi tashmë është e qartë se ai do të jetë Çabi Alonso. “Los blancos” kërkojnë të kenë në dispozicion atë që do të jetë afrimi i parë i verës, Trent Aleksander-Arnold, por nuk do të jetë e thjeshtë.
Liverpuli mësohet se do të bllokojë mbrojtësin e djathtë, duke mos ua lënë në dispozicion madrilenëve që në mbyllje e sezonit, siç shpresojnë këta të fundit. Reali do marrë lojtarin me parametër zero, por si teori mund ta bëjë pjesë të tij vetëm pasi t’i mbyllet kontrata.
Kësisoj, i duhet të kërkojë leje nga Liverpuli për ta transferuar para 1 korrikut, por “të kuqtë” nuk janë të të njëjtit mendim. Ata janë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë vetëm nëse Reali do të paguajë një dëmshpërblim të caktuar, duke detyruar madrilenët të ulen në tavolinën e bisedimeve. Por për momentin, klubi anglez nuk ka bërë të ditur shumën që kërkon për të bërë të mundur këtë lëvizje që me 1 qershor, në mënyrë që ai të bëhet pjesë e spanjollëve për turneun në SHBA.
PANORAMASPORT.AL