Ksabi Alonso është i lumtur te Bajer Leverkuseni dhe i fokusuar fort në fitimin e titullit të Bundesligës, pasi mësohet se Liverpul e kontaktoi atë për marrjen e stolit nga Jyrgen Klop në verë.
“Reds” janë në kërkim të një trajneri të ri për të pasuar gjermanin, i cili konfirmoi muajin e kaluar se do të largohet nga klubi në fund të sezonit. 56- vjeçari ka fituar Premier Ligën, Ligën e Kampioneve, Kupën FA dhe çdo trofe tjetër që kur zëvendësoi Brendën Roxhersin në “Anfield” tetorin e 2015. Tekniku spanjoll është kandidati i preferuar dhe sipas francezëve të “Foot Mercato”, kontakti i parë tashmë është vendosur midis Liverpulit dhe Alonsos, pasi klubi anglez po kërkon të kuptojë nëse ai do të ishte i interesuar për një rikthim në Mersejsajd. Megjithatë, i njëjti burim informacioni shton se Alonso është i kënaqur në Leverkusenin dhe shpreson t’i çojë ata drejt titullit të tyre të parë në Bundesligë. Aktualisht “aspirinat” janë në krye të tabelës pas 20 javësh kampionat, dy pikë përpara Bajernit të Mynihut të vendit të dytë. Kryesuesit mund ta thellojnë këtë diferencë nëse mposht Bajernin në përballjen direkte të shtunën.
Duke folur muajin e kaluar në lidhje me këtë temë, Alonso u distancua dhe tha: “Unë u befasova nga lajmet për Jyrgen. Kam respekt të madh për të dhe Liverpulin. Për momentin jam shumë i lumtur këtu dhe po shijoj punën time. Çdo ditë dhe ndeshje është një sfidë. Ne jemi në një udhëtim intensiv dhe të bukur këtu në Leverkusen. Spekulimet janë normale, por kam respekt dhe admirim të madh për atë që Jyrgen ka bërë në Liverpul në nëntë vitet e fundit dhe si ai e ka bërë atë. Ai ka një lidhje me tifozët, ai ka bërë një punë të shkëlqyer, por fokusi im është këtu te Bajer Leverkusen. Kam motivim të madh për të bërë një punë të mirë këtu, jam shumë i kënaqur me ekipin, me klubin, me gjithçka, kështu që ky është fokusi im. Fokusi im nuk është maji. Por ajo që do të them është se ishte befasuese ajo që ndodhi në Liverpul me largimin e Jyrgenit”. Alonso, i cili kaloi pesë vjet në “Anfield Road” si futbollist, e nisi karrierën e tij të trajnerit me skuadrën Real Sociedad B. Ai kaloi tri vite në këtë rol, duke fituar pak më shumë se 40 për qind të ndeshjeve të tij, përpara se të largohej në maj të vitit 2022. Pesë muaj më vonë Alonso u ul në stolin e Liverpulit ku e udhëhoqi skuadrën gjermane deri në gjysmëfinalen e Ligës së Europës që në sezonin e tij të parë. Në maj 2023 42- vjeçari firmosi një kontratë 3- vjeçare me “aspirinat”.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL