Trajneri i Liverpulit, Arne Slot, pranon se kulmi i sezonit të Liverpulit nuk është parë ende dhe do të vijë gjatë javëve të mbetura të kampionatit, ndërsa skuadra e tij është vetëm një pikë larg sigurimit të titullit të Premier Ligës.
Megjithatë, për holandezin, ndeshja e fundit kundër Uest Hemit në “Anfield”, ku skuadra përmbysi rezultatin, mbetet momenti më i veçantë deri tani. Goli me kokë i Virxhil van Dajkut në minutat e fundit, siguroi fitoren 2-1, pasi lojtarët dhe tifozët reaguan menjëherë ndaj barazimit që “Hammers” arritën vetëm tri minuta më herët.
I pyetur për kujtimin më të bukur të sezonit, Slot u përgjigj për sajtin e klubit: “Shpresoj që ai moment të jetë ende përpara nesh në pesë ndeshjet e ardhshme shpresoj që të jetë qysh në të parën, natyrisht. Por ne kemi pasur disa momente të veçanta. Ishte speciale kur Virxhil, pak para fundit, shënoi me kokë kundër Uest Hemit. Trent Aleksander-Arnold bëri të njëjtën gjë 10 minuta para fundit kundër Lestërit. Mendoj se lojtarët e mëdhenj gjithmonë shfaqen në momentet e mëdha dhe ashtu ndodhi.
Por mund të përmend edhe ndeshjen jashtë ndaj Brentfordit: 90 minuta të luajtura, 0-0. Darvin Nunjez shënoi një gol dhe mendoj se Trent dha asistin. Kemi pasur disa nga ato momente të mëdha gjatë sezonit. Nuk mund të zgjedh vetëm një, por nëse vërtet duhet ta bëj, do të thosha momentin pas barazimit 1-1 kundër Uest Hemit, kur të gjithë ndoshta ndien, ‘Oh, kjo do të jetë e vështirë, ndoshta edhe për ta mbajtur 1- 1 deri në fund’.
Pastaj skuadra reagoi, tifozët reaguan për dy minuta dhe thjesht po fluturonin në atë moment. Si rezultat, fituam nga një goditje nga këndi dhe Virxhil shënoi golin. Emocionet që përjetoi ai, stadiumi, stafi, të gjithë, ishte një moment i bukur. Por shpresoj që momenti më i bukur të jetë ende përpara”.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL