Llapi ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në javën e 31-të të Superliga e Kosovës, duke mposhtur bindshëm Prishtina e Re me rezultat të thellë 4-0.
Vendasit hynë në fushë me intensitet të lartë dhe e treguan që në start se sa shumë u duheshin pikët. Vetëm në minutën e 6-të, Arbnor Ramadani zhbllokoi rezultatin, duke i dhënë epërsinë e hershme skuadrës së tij. Pavarësisht disa rasteve të tjera, pjesa e parë u mbyll me këtë avantazh minimal.
Gjithçka u bë edhe më e lehtë për Llapin në pjesën e dytë, kur Prishtina e Re mbeti me dhjetë lojtarë pas përjashtimit të Endrit Morina në minutën e 53-të.
Duke shfrytëzuar epërsinë numerike, vendasit shtuan presionin dhe në vazhdim gjetën edhe golat e tjerë. Arianit Hasani dyfishoi shifrat, ndërsa në minutën e 85-të Erio Sadriu shënoi për 3-0, duke vulosur praktikisht fitoren. Në sekondat e fundit, Fiton Ademi kompletoi “festivalin” e golave për rezultatin përfundimtar 4-0.
Me këtë sukses, Llapi arrin në kuotën e 36 pikëve dhe mban gjallë shpresat për mbijetesë, ndërsa Prishtina e Re mbetet në fund të tabelës me 28 pikë, duke u përballur me një situatë gjithnjë e më të vështirë.