Arsenali ka një epërsi ndaj Realit të Madridit në përballjen e çerekfinales së Ligës së Kampioneve, sipas superkompjuterit të “Opta”- s.“Topçinjtë” do të presin gjigantët spanjollë të drejtuar nga Karlo Ançeloti në “Emirates Stadium” për ndeshjen e parë të çerekfinales, sonte në mbrëmje. Real Madridi ka fituar dy nga tri edicionet e fundit të Champions League dhe gjashtë nga njëmbëdhjetë të fundit. Skuadra e Ançelotit mposhti Borusian e Dortmundit 2-0 në finalen e vitit të kaluar në “Uembli”. Pavarësisht historisë së pasur të Realit në këtë kompeticion, superkompjuteri i “Opta”-s parashikon se Arsenali ka një avantazh të lehtë në këtë përballje. “Topçinjtë”, të cilët nuk e kanë fituar kurrë Kupën e Kampioneve në historinë e tyre, kanë një mundësi prej 50.2% për të kaluar në gjysmëfinale, ndërsa Reali e ka 49.8%.
Arsenali eliminoi PSV Eindhovenin me rezultat të përgjithshëm 9-3 në raundin e mëparshëm, ndërsa Reali mposhti rivalët e qytetit, Atletikon pas penalltive, pasi dy ndeshjet përfunduan 1-1. Të dyja skuadrat aktualisht renditen të dytat në ligat përkatëse, Arsenali është 11 pikë prapa Liverpulit, ndërsa Reali është 4 pikë prapa Barcelonës. Arsenali do të duhet të luajë pa mbrojtësin kryesor Gabriel, i cili e ka përfunduar sezonin për shkak të një dëmtimi muskulor.
Po ashtu, mungojnë edhe Gabriel Zhezus, Takehiro Tomijasu, Kai Haverc dhe Rikardo Kalafiori. Fituesi i çiftit Arsenal-Real Madrid do të përballet në gjysmëfinale me PSG-në ose Aston Vilën. Kampionët e Francës janë favoritë për të kaluar kundër skuadrës së Unai Emerisë, pasi në raundin e kaluar eliminuan Liverpulin. Skuadra e Luis Enrikes ka 71.3% shanse për të mposhtur Aston Vilën dhe 36.2% shanse për të mundur pastaj edhe fituesin e Arsenal-Real, për të arritur në finale. Arsenali ka 29.5% gjasa për të arritur në finalen e Mynihut, Real Madridi është pas tyre me 25.2%, ndërsa Aston Vila ka vetëm 9.1% shanse.
PANORAMASPORT.AL