Mund të jetë më keq, por mund të jetë edhe më mirë. “Djalli” është në një pikë vendimtare, a do të gëzojë mes sakrificës deri në fund të sezonit për të arritur Ligën e Kampioneve, apo do të vuajë dhe shtojë plagët. Te kuqezinjtë, javë pas jave, duket gjithnjë e më e vështirë të mbash gjallë mendimin për të shpresuar se në fund të majit sezoni do të ketë kuptim.
Gabimet individuale tani shkojnë përtej së mirës dhe së keqes, 4 fantastikët nuk po funksionojnë, trajneri nuk po jep një zgjidhje konkrete dhe loja nuk rrjedh proporcionalisht me cilësinë mesatare të ekipit. Këtu, ky është konteksti në të cilin Milani është i detyruar të lëvizë për të tentuar të arrijë vendin e katërt.
SITUATA- Momentalisht, qielli i Milanelos po shkarkon “shiun dhe rrufetë”, sepse renditja nuk po lëviz siç duhet, sidomos kur të tjerët nuk përfitojnë, dhe vendi i pestë nuk do të ofrojë Ligën e Kampioneve, por Ligën e Europës. Sa janë shanset për vendin e katërt? Minimumi për të synuar është 70 pikë. Pra, le të bëjmë disa llogaritje të thjeshta.
LLOGARITË- Milani deri më tani ka grumbulluar 41 pikë, ose 1.64 pikë për ndeshje. Një mesatare seriozisht e pamjaftueshme për sa i përket Ligës së Kampioneve. Mendoni vetëm se para humbjes në Torino, me Konseisaon në krye ishin 2 pikë për ndeshje, të mjaftueshme për katër vendet e para në aspektin abstrakt.
Megjithatë, aktualisht nëse kuqezinjtë do të qëndronin në mesataren e tyre aktuale do të përfundonin me 62 pikë, një shifër që vitet e fundit ka qenë midis vendit të gjashtë dhe të shtatë, ose midis Ligës së Europës dhe Konferencës. Megjithatë, nëse mesatarja në trembëdhjetë ndeshjet e mbetura do të jetë dy pikë, rezultati përfundimtar do të ishte 67 pikë, sërish i pamjaftueshëm për vendin e katërt. Llogaritja është pra e lehtë për t’u bërë nëse bazohemi edhe në precedentët e mëparshëm.
Për të arritur në Champions, dhe po flasim për minimumin e thjeshtë, për 70 pikë, nevojiten 29 pikë të tjera, ose mesatarisht 2.23 pikë për ndeshje. Duke u nisur nga 1.64 pikët aktuale, kjo do të thotë një rritje prej 0.59 për ndeshje.
Pra Milani duhet të fitojë 10 nga 13, ose 9 me 3 barazime, e kështu me radhë. Objektivisht komplekse. Prandaj, pyetja duhet t’i shtrohet drejtpërdrejt trajnerit, si është e mundur të arrihet një përmirësim i tillë? Për statistikë, përveç Bolonjës, që nuk janë përballur kurrë në këtë kampionat, Milani në ndeshjet e para, kundër skuadrave me të cilat ende nuk është përballur sërish, ka marrë një mesatare prej 1.63 pikësh. Puna fillon nga sot në mbrëmje.
PANORAMASPORT.AL