Frika e hierarkisë së Arsenalit nga djegia dhe lodhja kanë goditur skuadrën e Mikel Artetës në momentin më kritik të sezonit.
“Topçinjtë” u eliminuan nga Liga e Kampioneve në fazën çerekfinale me një paraqitje të vakët kundër Bajernit të Mynihut, vetëm disa ditë pas humbjes 2-0 në shtëpi në Premier Ligë kundër Aston Vilës. Prilli është konfirmuar një muaj i mallkuar për londinezo-veriorët, të cilët shohin një rënie të rezultateve gjatë kësaj faze të sezonit në tri sezonet e fundit. Dhe Mançester Siti gjithashtu frikësohet se po i mbaron gazi pasi Erling Haland, Kevin De Bryjne dhe Manuel Akanzhi kërkuan të zëvendësoheshin përpara se të humbnin me penallti kundër Realit të Madridit në përballjen e tyre të fundit në “Etihad”.
Në “Emirates”, lojtarë si kapiteni Martin Odegard, Bukajo Saka, Ben Uajt, Gabriel Zhezus, Zhorzhinjo dhe Takehiro Tomijasu të gjithë kanë marrë lëndime të rënda këtë sezon. Uilliam Saliba ka luajtur çdo minutë nga 32 ndeshjet e Arsenalit në Premier Ligë, ndërsa qendërmbrojtësit e tjerë Gabriel, Uajt, por edhe Saka, Odegard dhe Deklan Rajs kanë luajtur secili më shumë se 3,400 minuta në të gjitha kompeticionet këtë sezon. Arteta rrallë bën rrotacion dhe nuk u beson plotësisht lojtarëve të stolit si Fabio Vieira, Emil Smith-Rou, Edie Nketiah apo Reis Nelson.
Dhe tani zgjedhjet e tij të vijës së parë duket se po korrin kostot e shtrydhjes. Arsenali dhe Mançester Siti janë ekipet e Premier Ligës me më shumë futbollistë që kanë luajtur mbi 3 mijë minuta këtë sezon: tetë lojtarë për secilin klub. Ndërkohë, lojtarët me më shumë minuta të “topçinjve” këtë sezon janë Uilliam Saliba (3,962 minuta), Gabriel (3,822) Deklan Rajs (3,733), Ben Uajt (3,567), Martin Odegard (3,509), Bukajo Saka (3,432), Kai Haverc (3,304) dhe David Raja (3,180). Por shqetësimet e Artetës janë edhe për Guardiolën: Fill Foden (3,678), Rodri (3,617), Ruben Diaz (3,503), Kajl Uoker (3,395), Ederson (3,334), Erling Haland (3,281), Manuel Akanzhi (3,207) dhe Julian Alvarez (3,160) janë lojtarët me më shumë minuta.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL