Monday, 24. August 2026
Sport

Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, mundja dërgon Shqipërinë në zonën e medaljeve

GS 24/08/2026 3 Min. Lesezeit

Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” kanë zhvilluar dy ditët e para të garave, në një fundjavë që ka parë shumë sportistë të Shqipërisë në konkurrim. Ashtu sikurse pritej, mundja konfirmohet një sport shumë i suksesshëm në arenën ndërkombëtare, duke i siguruar menjëherë disa medalje ekipit kuqezi.

Islam Dudaev dhe Zelimkhan Abakarov, dy mundësit e natyralizuar disa vite më parë me pasaporta shqiptare, vijojnë të shkëlqejnë me paraqitjet e tyre, teksa kanë arritur që të kualifikohen në finalet e stilit të lirë, duke hipotekuar kështu minimalisht medaljet e argjendit. Dudaev tregoi një formë shumë të mirë në kategorinë e peshave 74 kg, teksa e nisi me një fitore me rezultatin 11-2 ndaj kosovarit Egzon Xhoni, ndërsa më pas në çerekfinale likuidoi grekun Georgios Ioakeimidis me rezultatin 10-0.

Më tej, në gjysmëfinale Dudaev mposhti 3-1 spanjollin Mohammad Mottaghinia. Në finalen e sotme Dudaev do të ndeshet me rivalin nga Maqedonia e Veriut, Fatij Veseli, përballje që pritet të nisë në orën 18:40. Ndërkohë, Abakarov e pati edhe më të lehtë për të kaluar në finalet e peshave 65 kg, pasi i mjaftuan vetëm dy fitore. Fillimisht ai mposhti me rezultatin 3-0 egjiptianin Shehabeldin Mo, ndërsa më pas në gjysmëfinale kaloi me rezultatin 6-2 sirianin Ahmad Dirki. Abakarov do të rikthehet sot në tapet për finalen, teksa do të kërkojë medaljen e artë në duelin kundër turkut Ahmet Duman, takim që nis në orën 18:20.

Medalja e parë zyrtare e Shqipërisë në “Taranto 2026” mban firmën e Ardit Zenelit në stilin e greko-roman për kategorinë e peshave 67 kg. Një sukses historik, pasi për herë të parë Shqipëria ngjitet në podiumin e Lojërave Mesdhetare me mundjen klasike. Zeneli e nisi me një fitore të bukur me rezultatin 11-3 kundër italianit Jacopo Sandron. Më pas u mposht në gjysmëfinale nga algjeriani Fayssal Benfredj me rezultatin 3-5, për t’u rikthyer me sukses të dielën në ripeshkim, duke mposhtur grekun Stavros Ntounias me rezultatin 9-8, për të festuar me medalje bronzi, e 50-ta në histori për Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare. Ndërkohë, për sa u përket mundësve të tjerë kuqezi, Kevin Kupi regjistroi një fitore dhe dy humbje në stilin greko-roman për peshat 77 kg, duke i ndalur në duelin e ripeshkimit për bronzin. Bajram Sina u eliminua në duelin e parë në peshat 60 kg, ndërsa në stilin e lirë për peshat 125 kg, Paris Karepi e mbylli me një fitore dhe dy humbje rrugëtimin e tij.

Teilen: