Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, ka shprehur mbështetje të fortë për futbollistët kosovarë që braktisën ndeshjen me Rumaninë në Bukuresht, pas thirrjeve raciste “Serbia, Serbia” nga tifozët rumunë.
Çeku ka cilësuar veprimet e tifozëve rumunë si të papranueshme dhe ka theksuar se Kosova është mbrojtur në këtë rast. Ai ka shprehur gjithashtu keqardhje për incidentin dhe ka dënuar çdo formë të racizmit dhe fyerjeve ndaj shtetit të Kosovës.
“Qëndrojmë prapa djemve të Kosovës. Ngjarja e djeshme shkel thellësisht vlerat e sportit, i cili duhet të shërbejë për bashkim dhe jo për nxitjen e urrejtjes dhe përçarjes. Ne dënojmë çdo formë të racizmit dhe fyerjeve ndaj shtetit tonë dhe apelojmë për masa nga institucionet ndërkombëtare të futbollit, për të mbrojtur integritetin e ngjarjeve sportive dhe për të ruajtur respektin dhe dinjitetin mes shteteve. Ofrojmë gjithashtu mbështetjen tonë të plotë për Federatën e Futbollit të Kosovës, të cilët kanë nisur përgatitjen e një ankese të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-s,” ka shkruar ministri Çeku.
Ndeshja, e cila u luajt të premten në Bukuresht, u ndërpre në minutat e fundit pasi tifozët rumunë filluan të thërrisnin slogane raciste ndaj Kosovës. Futbollistët e Kosovës, të revoltuar nga këto thirrje, braktisën fushën dhe refuzuan të ktheheshin, ndërkohë që rezultati ishte 0:0. Gjyqtari i ndeshjes, pas më shumë se një ore, vendosi të mbyllte ndeshjen, dhe tani pritet që UEFA të marrë një vendim për ndëshkimin e federatës rumune për këtë incident.