Situata te Real Madridi vazhdon të jetë e tensionuar pas raportimeve për përçarje në zhveshtore dhe incidente mes lojtarëve, ndërsa në qendër të kritikave është vendosur edhe trajneri Alvaro Arbeloa. Sipas medias spanjolle “Radioestadio Noche”, disa lojtarë të madrilenëve e quajnë Arbeloan me nofkën “koni” (“cone”), një term nënçmues në futbollin spanjoll, që përdoret për të përshkruar një person të parashikueshëm ose pa ndikim në lojë.
Arbeloa mori drejtimin e ekipit në janar, pas largimit të papritur të Xabi Alonso, para promovimit të tij në ekipin e parë, ai drejtonte ekipin rezervë të klubit, Castilla.
Raportet tregojnë se atmosfera në “Santiago Bernabeu” është përkeqësuar ndjeshëm javët e fundit. Kulmi i tensioneve erdhi të enjten, kur mesfushorët Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni u përfshinë në një përplasje fizike gjatë një konflikti në zhveshtore. Sipas raportimeve, Valverde pësoi një dëmtim në kokë dhe u dërgua në spital, ku u diagnostikua me traumë kranioencefalike, mesfushori uruguaian pritet të mungojë deri në dy javë.
Ndërkohë, mediat spanjolle raportojnë se gjashtë lojtarë të ekipit kanë refuzuar të komunikojnë me Arbeloan gjatë stërvitjeve, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi autoritetin e tij në skuadër. Incidentet nuk përfundojnë me kaq. Mbrojtësi Antonio Rudiger raportohet se ka goditur shokun e skuadrës Alvaro Carreras, edhe pse ky i fundit reagoi më pas në rrjetet sociale duke minimizuar situatën.
Nofka ndaj Arbeloas nuk është e re, ajo daton që nga koha kur ai ishte lojtar i Real Madridit, ku aktivizohej si mbrojtës i djathtë.
Edhe pse fitoi një titull të La Ligës dhe dy trofe të Ligës së Kampionëve me klubin madrilen, Arbeloa shpesh kritikohej nga tifozët për stilin e tij konservator dhe mungesën e kontributit ofensiv. Për këtë arsye, disa tifozë nisën ta quanin “koni”, duke e konsideruar si një lojtar të parashikueshëm dhe të lehtë për t’u kaluar nga kundërshtarët.
Madje, në disa raste në tribunat e “Santiago Bernabeu” janë hedhur edhe kone plastike në fushë si formë ironie ndaj tij. Me kalimin e viteve, Arbeloa e mori me sportivitet këtë nofkë, ndërsa në rrjetet sociale u bënë virale edhe montazhe humoristike ku ai paraqitej si një “koni” stërvitor.