Goli i tij vulosi fatin e takimit kundër Flamurtarit dhe pas fitores 2-1 të “të kuqve”, Xhuliano Skuka u përzgjodh “Lojtari i ndeshjes”. Sulmuesi deklaroi se ky çmim e motivon për të punuar më shumë. Skuka thotë se ky nuk është Partizani që presin tifozët dhe drejtuesit, por tashmë skuadra është në rrugën e duhur. Sulmuesi flet edhe për trajnerët e mëparshëm që e ulën në stol, ndonëse ishte kapiten i skuadrës.
“Të gjithë e prisnin këtë trofe. Tifozët dhe ekipi jemi të gjithë një, motiv më shumë për të vazhduar. E thashë edhe javën tjetër pas derbit, s’është Partizani që të gjithë presin, unë i pari. Jemi në rrugën e duhur, do të ketë përmirësim akoma. Po vazhdoj të punoj, po flisja me trajnerin. Kam qenë pak i mërzitur që s’luaja, por i shkon një bravo e madhe profesorit, është ideja e tij kjo lëvizje, për të mos e nisur takimin si titullar.
Trajneri është i pari, do bëjmë çfarë thotë ai. Unë isha kapiten i Partizanit në Evropë, erdhën trajnerët më ulën në stol, s’kam bërë gjë të keqe, kam ulur kokën e kam punuar dhe jam këtu sot.
Gati për 90 minuta? Unë gati jam, por besoj edhe pak. Duhet pak durim”, ka thënë mes të tjerash Skuka.