Në një atmosferë të ngrohtë dhe me mysafirë të shumtë, Lidhja Rajonale e Futbollit në Pejë ka mbajtur ceremoninë e “Laureatëve të vitit 2023”.
Pjesë e kësaj ngjarje të rëndësishme ishin edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili u nderua me mirënjohje të veçantë për mbështetjen që i ka dhënë zhvillimit të futbollit në këtë regjion si dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Në fjalën e tij, presidenti Ademi ka shprehur kënaqësinë e tij për punën e Lidhjes Rajonale të Futbollit në Pejë dhe për një vit tjetër të suksesshëm në zhvillimin e futbollit. Ai ka përgëzuar klubet dhe shkollat e futbollit të këtij regjioni për rezultatet e shkëlqyera dhe i ka inkurajuar të gjithë pjesëmarrësit të vazhdojnë punën e palodhur në promovimin dhe avancimin e futbollit.
Gazmend Muhaxhiri, kryetari i Komunës së Pejës, ka shprehur mbështetjen e tij të vazhdueshme për zhvillimin e futbollit në këtë rajon dhe ka premtuar mbështetje nga autoritetet lokale për projektet dhe ngjarjet sportive.
Çmimi kryesor i këtij manifestimi iu dha futbollistit Blerind Morina, anëtar i KF Dukagjini. Presidenti Ademi dhe kryetari i Lidhjes Rajonale të Futbollit në Pejë, Avdi Gashi, ndanë këtë çmim për këtë talent të shquar.
Me mirënjohje dhe çmime u nderuan edhe futbollistë e futbolliste të grupmoshave të ndryshme, klube e shkolla futbolli dhe trajnerë, gjyqtarë e punëtorë sportivë.
Po ashtu, me mirënjohje u nderuan edhe FFK dhe grupi i tifozëve të Kombëtares Dardanët, të cilat i pranuan Ismail Ajeti, anëtar i KE të FFK-së dhe Lulzim Berisha, kryetar i Dardanëve.