Tani që u shërua duket se nuk ka ndër mend të tolerojë askënd. Ismael Benaser i ka idetë e qarta për objektivat personalë dhe ato ekiporë e këtë e ka dëshmuar në një intervistë të dhënë për televizionin e klubit kuqezi.
Si ndiheni tani që edhe minutazhi juaj është në rritje?
Jam mirë, jam i lumtur sepse jam kthyer prej një muaji. Pak nga pak do ta gjej sërish ritmin tim. Gjuri është në rregull, kështu që edhe unë jam i lumtur.
Synoni të jeni titullar tani e tutje?
Ja të shohim. Po kthehem në formë të mirë, po punoj shumë. Ritmi i ndeshjes është i ndryshëm, duhet ta ngre pak nga pak nivelin e rendimentit tim fizik.
Si ju duket mesfusha e Milanit?
Kemi lojtarë të ndryshëm në krahasim me vitin e kaluar. Ata mund të na japin diçka ndryshe. Jam i lumtur që luaj me këta lojtarë.
Personalisht çfarë roli preferoni?
Unë luaj kudo që të nevojitet. Nëse ndihem mirë mund të bëj gjithçka.
Në Kupën e Afrikës do të shkoni?
Ftesat nuk kanë dalë ende. Kur të thërret kombëtarja dhe je mirë, është e vështirë të refuzosh. Nëse më telefonojnë do të jem në dispozicion, megjithatë për momentin jam thjesht i paralajmëruar.
Si e gjykoni rikthimin e Ibrës?
Ibra mbetet Ibra edhe nëse nuk luan. Ai ka një mentalitet fitues. Do të na japë diçka më shumë.
Si shkoi shkëmbimi i dhuratave në grup?
Mora një parfum të këndshëm nga Loftus-Çiku, ndërsa i dhashë disa Lego një videoanalisti, i cili është pasionuar pas Legos dhe ishte shumë i lumtur. Ishte një iniciativë e bukur.
Cilët janë objektivat për vitin 2024?
Dua të rikthehem në formë sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse jam mirë mund të jap kontributin tim. Kemi akoma më shumë ndeshje, do të bëjmë gjithçka për të shkuar sa më larg.
Çfarë mendoni për Ligën e Europës?
Unë dua të jap kontributin tim edhe në Evropë. Liga e Europës është një kompeticion i rëndësishëm, do të jap maksimumin për të dhënë kontributin tim për ekipin.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL