Friday, 27. March 2026
Sport

Luftë anglo-arabe, klubet me shpenzimet më të mëdha në 2023/ Çelsi rekordmen, ja “top 10”-shja sipas CIES

GS 22/08/2023 3 Min. Lesezeit

Çelsi është shpenzuesi më i madh neto në merkaton e futbollit deri në këtë moment të vitit 2023 sipas Observatorit të Futbollit CIES. Shpenzimet aktuale neto të bluve për transferime këtë vit janë 528 milionë euro (452 milionë paund), dhe me mbi një javë të mbetur nga mbyllja e merkatos së verës, kjo shifër mund të rritet më tej.

CELSIII

Pas blerjes së vitit të kaluar nga konsorciumi i udhëhequr nga Tod Bohli, i mbështetur nga kompania “Clearlake Capital”, Çelsi shpenzoi një rekord prej 323 milionë pafundësh vetëm në merkaton e janarit. Edhe pse skuadra e Premier Ligës ka arkëtuar 218 milionë paund nga shitja e lojtarëve këtë verë, nën drejtimin e trajnerit të ri Mauricio Poçetino klubi londinez ka vijuar të vendosë rekorde të reja transferimesh në Angli.

REKORDMENI KAISEDO

Blerjet e fundit të Romeo Lavias nga Sauthemptoni i dërguan shpenzimet e klubit në 329 milionë paund, një shifër që përfshin transferimin rekord në Britani, të Moises Kaisedos nga Brajtoni. Por këto shpenzime rekord nuk i kanë korrur ende frytet në fushë, me skuadrën e Poçetinos që nuk ka fituar ende këtë sezon: ka regjistruar një barazim me Liverpulin në javën e parë të Premier Ligës dhe humbjen ndaj Uest Hemit 3-1 të dielën.

DOMINIM ANGLEZËSH

Hulumtimi i CIES, tregon se shtatë ekipe të Premier Ligës janë aktualisht mes 10 klubeve që kanë shpenzuar më shumë për këtë vit kalendarik. Arsenali është i treti pasi ka shpenzuar shifrën rekord për klubin për transferimin e Deklan Rajsit, Kai Havercit dhe Jurien Timberin në përpjekje për të sfiduar Mançester Sitin për titullin e Premier Ligës edhe një herë këtë sezon. Kampionët e Premier Ligës nuk ndodhen në këtë listë, por çuditërisht është Bornmëthi që ka shpenzuar neto 216 milionë euro (185 milionë paund), vetëm 1 milion më pak sesa gjigantët spanjollë të Realit të Madridit.

Njukasëlli, Mançester Junajtidi, Liverpuli dhe Aston Vila janë të gjitha në dhjetëshen e parë dhe duke pasur parasysh ndikimin në rritje të Ligës Pro Saudite në arenën botërore të futbollit, nuk është çudi të shohësh disa klube të Arabisë Saudite në listë. Al-Hilali, i cili shpenzoi 78 milionë paund për të transferuar Nejmarin në Lindjen e Mesme javën e kaluar, është shpenzuesi i dytë më i lartë neto në botë sipas CIES.

LISTA

Ata gjithashtu kanë nënshkruar me Ruben Nevesin, Aleksandar Mitroviçin dhe Kalidu Kulibalin në javët e fundit. Al-Ahli është i gjashti në klasifikim, pak më poshtë Realit të Madridit. Shpenzimet e tyre të kushtueshme përfshijnë transferimet e yjeve të Premier Ligës si Rijad Mahrez, Alan SantMaksimë dhe Eduard Mendi.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

Teilen: