Nedim Bajrami, i cili tashmë është pjesë e rekordeve dhe historisë së Europianëve me golin ndaj Italisë, doli në konferencën për shtypin përpara Shqipëri-Spanjë.
Kuqezinjtë do të tentojnë fitoren dhe kualifikimin të hënën në mbrëmje (21:00) në Dusseldorf.
25-vjeçari tetovar, një ndër më të mirët e Kombëtares, ndër të tjera tha:
“E dimë të gjithë që Spanja është favorite për fitimin e Europianit. Duhet ta përgatitim mirë ndeshjen dhe të jemi gati. Të bëjmë maksimumin të gjithë, nuk ka rëndësi kush luan dhe kush jo. Me Italinë as vetë nuk e pritëm që do e fillonim aq mirë, por ata shënuan dy gola më pas. Patëm rast me Manajn për të barazuar. Me Kroacinë zhvilluam një ndeshje shumë të bukur, treguam që jemi aty”, tha ai.
Ai tutje foli edhe për kundërshtarin e së hënës, shkruan “Gazeta Express”.
“Spanja ka kualitete, nuk ka rëndësi kush luan nga ata. Ne të fokusohemi te loja jonë dhe kualitetet tona. Dhe të japim maksimumin. Lamine Yamal është shumë i fortë, por edhe Morata e Fabian Ruiz. Ndërkohë që Rodri nuk luan, pasi ka dy kartonë të verdhë. E dimë që Spanja është jo vetëm ekip i fortë, por favorit për mua për fitimin e Europianit. Të japim maksimumin dhe t’i japim gola rastet që do të kemi. Është një turne që nuk ka shumë raste, të jemi më konkretë te shënimi i golit”, shtoi ai.